

Garimi në “Rio 2016” – Më 11 gusht ka garuar në Lojërat Olimpike notari shqiptar Sidni Hoxha, sportisti i katërt kuqezi, që ndodhej në këtë Olimpiadë. Notari që jeton e garon në Amerikë mori pjesë në disiplinën 50 metra, stil i lirë. Hoxha garoi në baterinë e parë, ku triumfoi me kohën 22”80, një kohë e mirë e notarit shqiptar, që kishte kohën më të mirë pas përfundimit të garave në 6 bateritë e para (në këtë disiplinë ishin 11 bateri eliminatore).
Koha e dhënë nga notari kuqezi është rekord kombëtar, pasi ka përmirësuar me 7 të qindtat kohën e mëparshme 22”87, që mbahej po nga Sidni Hoxha, vendosur në Europianin e Berlinit, dy vite më parë. Gjithsesi, Hoxha nuk ka mundur të kualifikohej për në fazën gjysmëfinale, ku shkuan 16 kohët më të mira. Notari kuqezi zuri vendin e 41-të mes 85 garuesve, një rezultat i mirë, duke konsideruar se vendosi rekord kombëtar. Notari Sidni Hoxha duhej të garonte në dy disiplina në këtë Olimpiadë, pasi përveç 50m stil i lirë kishte siguruar kualifikimin edhe në 100 metra stil i lirë. Por një gabim apo neglizhencë e drejtuesve të delegacionit olimpik, që nuk e regjistruan, bëri që ai të mungojë në këtë disiplinë.

















