Na ndiqni edhe në

Arkiv

Pas Kongresit flet ish-ministri i Brendshëm Xhafaj. Ja pse u dorëhoqa!

Pas Kongresit flet ish-ministri i Brendshëm Xhafaj. Ja pse u dorëhoqa!
Ish Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, në pjesën e katërt të intervistës ekskluzive për gazetën “DITA”, ka folur gjerësisht lidhur mbi të gjithë qëndrimin e tij sa i përket çështjes “Babale”. 

I pyetur lidhur me rolin që ka pasur, ai sfidon këdo për të gjetur qoftë një fakt, favorizuar direkt apo indirekt, që mund të ketë ndihmuar të afërmit, duke nënvizuar se si njeri i ligjit ka besuar më shumë te e vërteta dhe fjala e drejtësisë. 

Ndërkohë, Xhafaj rrëfen edhe motivet e dorëheqjes së tij nga posti i ministrit të Brendshëm, duke argumentuar se nuk kanë pasur asnjë lidhje me skenarin e Partisë Demokratike.  

Ai ka folur se cila ka qënë mbështetja e ndërkombëtarëve në vite dhe si është kjo marrëdhënie aktualisht.

Po cili është qëndrimi i Xhafajt sa i përket çështjes së të vëllait? Pse dha dorëheqjen  nga posti i ministrit të Brendshëm? Kush është e vërteta e ndryshimit të nenit për ekstradimet dhe blofi i PD.

Cili është qëndrimi brenda maxhorancës në çështjen Babale dhe roli i Ramës, Metës, Bashës dhe Betishës.

Për të marrë këto përgjigje, më poshtë po pasqyrojmë pjesën e katërt të intervistës me ish-Kryetarin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë Fatmir Xhafaj.

Z.Xhafaj, cili është roli juaj në gjithë këtë histori?

Në asnjë rast dhe për asgjë nuk mund të gjendet qoftë edhe një fakt indirekt që unë të kem favorizuar një të afërm timin, për afera kriminale jo e jo (se sinqerisht më bëjnë të qesh me këto akuza), por edhe për një përfitim sado të vogël, material apo financiar qoftë. Përkundrazi, janë familjarët e mi që janë privuar jo pak nga mundësitë konkrete për një pozicion më të mirë në jetë përfshi edhe motra, vëllezër e kunetër megjithëse i kanë merituar ato si profesionistë, si juristë, mjekë, ekonomistë etj.

Sa më përket mua, përfshirjes apo lidhjes sime si zyrtar, si politikan dhe si qytetar, as ka pasur dhe as do ketë shans kurrkush të më përfshijë në ndonjë lloj shkelje ligji jo mua personalisht drejtpërdrejt, por as edhe në formën e lehtësimit apo mbështetjes së dikujt, cilido qoftë ai, familjar imi apo kushdo tjetër. Kam 20 vjet jetë aktive politike dhe si zyrtar i lartë i shtetit si: Sekretar i Përgjithshëm i qeverisë (1997 – 1999), tre herë Ministër (2002, 2003-2005, 2017-2018) dhe si deputet disa herë drejtues komisionesh parlamentare. Sfidoj cilindo që të më provojë të kundërtën me fakte konkrete. Këtë sfidë ja kam bërë publikisht opozitës së sotme mes viteve 2002 – 2005 kur isha ministër, në 2010 kur ndërmorën një tjetër fushate të egër sulmesh ndaj meje si opozitar, në 2015 – 2016 kur isha drejtuesi i reformës në drejtësi, dhe në vitin 2017-2018 kur dolën nëpër mitingje. Përgjigja e tyre ka qenë veç balta, shpifja, akuza dhe kallëzimi i rremë ndaj meje.

Por cila është balanca juaj?

Unë jam një qytetar dhe njeri normal si shumica në këtë vend, një politikan aktiv me të mirat e të metat e mia, por për një gjë jam shumë i sigurt dhe krenar. Kam qenë dhe do mbetem një politikan që respekton rregullat e demokracisë, zyrtar që njeh dhe mbron fort autoritetin e instucioneve të shtetit,  ligjvënës që respekton ligjin dhe funksionar i papërfshirë në asnjë lloj afere korruptive. Jam këtu, kam historinë time modeste dhe kush dëshiron le të më provojë të kundërtën. Në të gjithë karrierën time kam kërkuar të më vlerësojnë për atë çfarë unë jam dhe çfarë unë personalisht kam bërë dhe bëj si zyrtar i shtetit. Lidhur me veprimet apo mosveprimet e mia, unë mbaj përgjegjësi dhe do të mbaj deri ditën e fundit sa të kem frymë edhe kur të mos jem më në politikë.

I them këto në respekt të raportit që kam me të vërtetën në politikë, me opinionin publik, njerëzit e thjeshtë, me partinë ku bëj pjesë dhe sidomos me socialistët e mirë që më kanë mbështetur, inkurajuar e motivuar gjithë këto vite në karrierën time e veçanërisht në ato momente të vështira.

A keni tentuar ju ta ndihmoni vëllain tuaj? Nëse po, për çfarë konkretisht?

Nuk bëj pjesë tek ata që përdorin fëmijët dhe familjarët për të mbajtur pushtet apo pasuruar gjatë pushtetit, dhe as te ata që ua diktojnë politikën interesat materiale të fëmijëve, të vëllezërve e të kunetërve. Ashtu siç nuk bëj pjesë as te ata që mohojnë gjakun e tyre kur ua do interesi dhe pushteti. Unë nuk bëj pjesë te ajo racë që fshihem pas kunatit apo nga ata që mohojnë familjarët për t’i shpëtuar përgjegjësisë. Jam krenar që nuk kam pasur gjë të përbashkët me këta palo politikanë të cilët i kam refuzuar dhe përbuzur. Kam bërë detyrën time si vëlla, duke e ndihmuar të reflektojë në jetë dhe të ndërtojë një jetë të re. Jam i lumtur që pjesa tjetër e jetës së tij siç rezultoi edhe pas gjithë kësaj furtune publike, ka qenë ajo e një njeriu të rregullt në jetë, shumë familjar, shoqëror dhe korrekt me ligjet e shtetit. Ai as nuk ka kërkuar dhe asnjëherë vëllai i tij, politikani Fatmir Xhafaj nuk i krijoi favore apo privilegje në shkelje të ligjit. Asnjë!

Z.Xhafaj, ndaj jush ka pasur edhe një akuzë sa i përket ndryshimit të nenit për ekstradimet?

Një idiotësi politike, por edhe profesionale. Jo vetëm se nuk ka asnjë të vërtetë në atë çfarë ka ndodhur procedurialisht me atë dispozitë (gjë që është pohuar edhe publikisht nga misionet e asistencës ndërkombëtare që janë angazhuar me reformën), por edhe sepse nuk ka lidhje fare ai nen me rastin e tim vëllai.  Ka argumente ligjorë të kuptueshëm për këdo.

Dispozita për të cilën unë akuzohem se e futa për miratim në Kuvend (opozita që e votoi qenka treguar “syleshe” me këtë rast!), favorizon nëse mundet të përdorim këtë term vetëm ato persona të cilët nuk kanë qenë të mbrojtur apo të përfaqësuar në procesin penal të zhvilluar në një vend tjetër. Vëllai im ka pasur mbrojtës dhe përfaqësues në të gjitha hallkat e procesit të tij. Kështu që rasti i tij nuk ka aspak lidhje me këtë dispozitë. Thjesht nuk përfitonte fare nga zbatimi i saj. Kaq e thjeshtë është. Sigurisht për njerëz normalë, se për logjikën babaliste nuk funksionon arsyeja e shëndoshë.

E nga ana tjetër fakti është se unë nuk jam autor i asaj dispozite, por e kam mbështetur dhe mbrojtur fort atë si një nen në përputhje me konventat, me kushtetutën dhe të dobishëm për qytetarët shqiptarë. Është mot a mot përcaktimi i nenit 3 të Protokollit të Dytë Shtesë të Konventës Evropiane për Ekstradimin. Për të gjithë ata që duan të kuptojnë, Shqipëria e ka ratifikuar këtë konventë që në vitin 1999, pra ky lloj kushti ishte gjithësesi i zbatueshëm në sajë të përparësisë që marrëveshjet ndërkombëtare kanë mbi legjislacionin vendas sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Pra, edhe amendimi i Kodit që reflekton protokollin e dytë është thjesht një rregullim, nuk është risi pasi kjo normë është në fuqi që nga viti 1999. Për më tepër, të njëjtën normë e kanë adoptuar dhe e zbatojnë të gjitha vendet evropiane. Pra është në interes të qindra shqiptarëve të dënuar në vende të ndryshme të botës pa qenë të pranishëm në gjykimin e tyre dhe pa dijeni fare për një gjë të tillë. Këta njerëz dhe vetëm këta e meritonin një mbrojtje të tillë nga shteti i tyre siç bën çdo vend tjetër i botës.

Në media, por jo vetëm, është bërë shpesh një lidhje midis postit tuaj si ministër i Brendshëm dhe vetingut në polici dhe drejtësi. A ka një konflikt në këtë rast në këndvështrimin tuaj?

Ligji për vetingun, si për gjyqtarët, prokurorët ashtu edhe për policinë, parashikon si një prej tre komponentëve kyç për vlerësimin edhe atë që lidhet me figurën e subjektit që i nënshtrohet vetingut. Kjo nënkupton lidhjet për shkak të detyrës apo ndikimin në ushtrimin e këtij funksioni dhe në vendimmarrjet përkatëse. Askush nuk është penalizuar dhe ndëshkuar për shkak të një lidhjeje biologjike, por për shkak të lidhjeve shoqërore dhe të interesit me një person me rekorde kriminale.

Mund të ketë penalizim vetëm nëse këtë fakt të ditur për atë, zyrtari e ka fshehur në deklarimet zyrtare dhe/ose e ka mbështetur të afërmin e vet në veprimin e paligjshëm. Ka jo pak raste kur familjarë apo të afërm të gjyqtarëve prokurorëve apo edhe oficerëve të policisë, janë përfshirë individualisht në veprimtari kriminale dhe janë dënuar për këtë gjë, ndërkohë që  vetë gjyqtari, prokurori a oficeri nuk është penalizuar prej këtij fakti nëse në ushtrimin e funksionit të tij nuk e ka ndihmuar apo lehtësuar këtë veprimtari të paligjshme. Ka mjaft shembuj të tillë edhe në rrafshin ndërkombëtar, në demokraci të zhvilluara, dhe në nivele shumë të larta politike. Gjithkush përgjigjet ligjërisht dhe etikisht për veprimet dhe mosveprimet e veta në raport me ligjin dhe përgjegjësinë e funksionit shtetëror. Çdo interpretim tjetër është spekulim.

Sipas ish-deputetit Salianji,  Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj kanë përdorur policinë, shërbimin sekret dhe prokurorinë për të mbuluar të vërtetën. Sa kanë qenë MB-ja dhe Policia e Shtetit të përfshira në këtë proces?

Ky është një absurditet ose më saktë një tjetër alibi e ndërtuar për të justifikuar dështimin e tyre publik, por edhe si dhe një mënyrë për t’u mbrojtur përballë ligjit. Deklaroj me përgjegjësinë më të madhe se askush nga strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit nuk është përfshirë në këtë histori për çfarëdo motivi përveç detyrimeve/urdhërimeve të ligjit, sipas përcaktimeve të bëra nga prokuroria apo gjykata. Çdo veprim që ka kryer policia në lidhje me këtë çështje është në përmbushje të urdhrave proceduralë të prokurorisë. Veprimet e Policisë së Shtetit janë në përmbushje të detyrimeve që ligji i ngarkon asaj, në të kundërt do të bënin shkelje ligjore. Megjithatë edhe në këto rrethana përfshirja e strukturave të policisë ka qenë minimale dhe kryesisht për veprime që nuk mund t’i ndërmarrë askush tjetër sikurse është vëzhgimi i personave të urdhëruar nga prokuroria.

Z.Xhafaj, a ka lidhje largimi juaj nga posti i ministrit të Brendshëm me ngjarjen? Sa ndikoi te ju kjo ngjarje në aktin e dorëheqjes?

Siç ju thashë më lart, për çështjen e tim vëllai, unë e kisha dhënë njëherë dorëheqjen si ministër në vitin 2002. Asnjë gjë të re nuk kishte ndryshe në vitin 2018 për këtë çështje, përveç telenovelës Babale të SHQUP-it!!

Nëse akuza e PD-së do të ishte sadopak e vërtetë, unë jo vetëm që do të kisha dhënë dorëheqjen, por do të kisha marrë të gjitha përgjegjësitë e tjera me këtë rast, por në kushtet kur ishte shumë e qartë që gjendeshim përpara një intrige shumë të ulët, dorëheqja ime do të ishte kapitullim i shtetit kundrejt shantazhit politik dhe kriminal.

Nga ana tjetër ky sulm kundrejt meje vinte pikërisht në kohën kur Policia e Shtetit sapo kishte hyrë në një fazë të progresit cilësor në luftën kundër krimit, veçanërisht atij të organizuar. Ndoshta si asnjëherë tjetër më parë partnerët tanë i kishin ofruar Policisë së Shtetit gjithë besimin në bashkëpunimin institucional ndërkombëtar. Suksesi i punës së Policisë së Shtetit në atë kohë ishte perceptuar si i tillë edhe nga opinioni publik. Sondazhe serioze të agjencive joqeveritare vendase apo ndërkombëtare, edhe në muajt pas publikimit të audio-regjistrimit fals, tregonin për një mbështetje në rritje nga publiku ndaj punës së policisë, por edhe ndaj meje si ministër i Brendshëm. Kush dëshiron një kopje të tyre është i mirëpritur.

Edhe personalisht kisha një mbështetje të plotë nga këta partnerë për punën time si ministër i Brendshëm. Këtë mbështetje pa asnjë rezervë e pata edhe pas publikimit të audio- regjistrimit. Konfirmimi i tyre për të vazhduar bashkëpunimin ishte i plotë. Ky konfirmin shprehej edhe nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të nivelit më të lartë.

E bëra këtë narrativë thjesht e vetëm për të treguar se nuk kisha asnjë arsye të lidhur me këtë çështje me punën time si ministër për shkak të së cilës duhej të jepja dorëheqjen, e aq më pak akoma ta bëja këtë akt për shkak të “Babales”, një deliranti politik dhe regjisorit dështak të telenovelës së tij.

Ka zëra që thonë se segmentalisht edhe individë të caktuar nga mazhoranca janë përfshirë në këtë komplot politik…

Nuk dua ta besoj që gjërat kanë arritur deri këtu, por për hir të së vërtetës edhe e mendoj. Kam dëgjuar shumë në këtë aspekt nga shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Ndoshta ka edhe të vërteta në këtë histori, por preferoj që helmin brenda familjes sime politike ta tres dhe jo ta shes.

…kaq e thjeshtë është apo ka diçka më tepër?

Po sigurisht që jo. Si në çdo bashkësi politike, edhe kjo ku unë bëj pjesë nuk është imune nga disa “vese” apo nga individë që nuk ndajnë qëllime e vlera të përbashkëta me këtë forcë politike dhe që solidaritetin apo mirënjohjen i kanë thjesht slogane fjalimesh. Nuk më vjen mirë për këtë, sigurisht, por ky është realiteti ku jetojmë dhe këtij realiteti unë jam përpjekur t’i qëndroj ashtu si meritohet. Me integritet dhe ndershmëri. Kush është aty brenda, e njeh shumë mirë këtë pozicion timin.

Jam i lumtur që kam pasur mbështetjen e miqve të mi të shumtë brenda dhe jashtë PS-së, pa mbështetjen e të cilëve nuk do ta kisha të lehtë ta kaloja këtë situatë të vështirë personale dhe familjare. Situata të tilla të bëjnë të testosh veten, forcën dhe karakterin që ke, familjarët por edhe miqtë e tu. Test ky që siç e shoh dhe siç thonë, u kalua me sukses.

Cili ka qenë roli i kryeministrit Edi Rama në këtë proces, duke qenë se edhe është akuzuar shpesh se ju ka mbrojtur ju dhe vëllain tuaj?

Po flasim për çështjen konkrete dhe deri në momentin që unë u largova nga detyra. Në këtë kontekst në vlerësimin tim Kryeministri Edi Rama në këtë çështje ka mbajtur një qëndrim realist si nga pikëpamja institucionale, ashtu edhe ajo njerëzore e personale. Ne i kemi vlerësuar disa qëndrime realiste të bëra publike prej tij në lidhje me çështjen e dënimit të tim vëllai, përdorimit të tij politik dhe sulmeve të pabaza nga opozita.

Është plotësisht në të drejtën dhe detyrimin ligjor e institucional të një kryeministri që në mënyrë të pavarur, me kanalet e tij, të marrë informacionet e nevojshme në raste të tilla. Në dijeninë time ai ka kërkuar informacion edhe më parë në vitet 2015 – 2016 kur opozita ka formuluar akuza ndaj meje lidhur me vëllain tim dhe atij si kryeministër i është dashur të shprehet publikisht për këtë gjë. Kam gjithë mirëkuptimin mbi atë që ai bëri si kryeministër edhe në këtë rast në lidhje me marrjen e informacionit të nevojshëm mbi vërtetësinë e materialit të audio-regjistrimit.

E vërteta që rezultoi nga këto verifikime të bëra nga struktura ndërkombëtare, por edhe nga ai vetë në institucionet ligjzbatuese të vendit nuk mundet të konsiderohet kurrsesi si mbështetje (e pajustifikuar) kundrejt meje. Në këtë çështje Edi Rama ka qenë avokat i së vërtetës. Nëse e vërteta do të ishte ndryshe, nuk do kishte nevojë për asnjë lloj akti prej tij si kryeministër në raport me mua, pasi do të isha unë vetë ai që do të merrte vendimet e duhura e të përgjegjshme.

Sa ju kanë mbështetur ndërkombëtarët në këtë histori dhe cili ka qenë raporti juaj me ta?

Është naive të thuash se ata kanë mbështetur Fatmir Xhafaj si individ. Ata përfaqësojnë qeveritë e vendeve të tyre dhe interesat përkatëse, të cilat për hir të së vërtetës këto vite u pikëtakuan ndjeshëm me ato çfarë unë bëja. Askush më mirë se ata nuk ka mundur ta njohë aq mirë se çfarë unë isha duke bërë si për reformën në drejtësi, ashtu edhe si ministër i Brendshëm. Ata e dinin mjaft mirë se cili ishte vizioni dhe qëllimet që më udhëhiqnin në këtë proces, po ashtu edhe presionin apo riskun e lartë të asaj çfarë ishim duke bërë bashkërisht. Ishte kjo gjë që i bënte ata të demonstronin besueshmëri të lartë ndaj meje, të shkëmbenin informacion pa asnjë lloj rezerve, ndoshta edhe si rrallë më parë, dhe më kryesorja të më mbështesnin hapur. Sikurse ma kanë pohuar edhe vetë, edhe në këtë rast ata e dinin shumë mirë të vërtetën e sulmit të koordinuar ndaj meje pasi ndërmorën vetë investigime për këtë gjë. Rezultatet e hetimeve të tyre të brendshme i shtynë që të jepnin një tjetër mbështetje të fortë publike, gjë për të cilën edhe ju vetë keni qenë dëshmitar. E gjithë historia e vëllait tim nuk ishte një gjë e panjohur për ta, sidomos që nga viti 2003 ku unë u bëra ministër Drejtësie, kur isha në opozitë, por edhe më pas kur isha në krye të reformës në drejtësi apo ministër i Brendshëm. Është naive të mendohet se partnerët i jepnin mbështetje pa rezerva një politikani pa ditur se çfarë përfaqësonte personalisht ai vetë e familjarë të afërt të tij.

Ku e mbështesni këtë?

Le të mos harrojmë që si në periudhën 2003 – 2005 kur isha ministër Drejtësie, si gjatë periudhës në krye të reformës në drejtësi (2014-2017), ashtu edhe kur isha ministër i Brendshëm (2017-2018), unë, si shumë pak ndër paraardhësit e mi në këto funksione, kam takuar homologët e mi në nivelet më të larta të mundshme në Uashington (2005/2018), në Bruksel, Berlin, Romë e pothuajse në shumicën e vendeve kryesore evropiane. Të gjitha këto janë bërë realitet pa asnjë lloj lobisti ose e thënë ndryshe, pa paguar asnjë cent.

Gjithashtu gjatë periudhës së ushtrimit të funksioneve të mia kam vizituar e bashkëpunuar me Agjencitë më të njohura ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar në SHBA dhe BE. Kjo edhe në kulmin e sulmeve dhe akuzave të ngritura ndaj meje dhe pavarësisht çfarë artikulohej prej kundërshtarëve politik.

Jam i keqardhur, në fakt, që në një lloj mënyre këta bashkëpunëtorë të mirë dhe mbështetës të hapur të mitë “i zhgënjeva” me dorëheqjen time të papritur për ta. Ju jam mirënjohës disave prej ambasadorëve dhe shefave të misioneve këtu në Tiranë, por edhe disa miqve jashtë vendit me të cilët kisha bashkëpunuar gjatë këtyre viteve për faktin se edhe gjatë kësaj periudhe që jam larguar si ministër kemi vazhduar shumë miqësisht të shkëmbejmë mendime dhe bashkëpunojmë për çështje të sigurisë publike dhe veçanërisht për procesin e zbatimit të reformës në drejtësi.

Sipas jush, sa ka qenë i përfshirë Lulëzim Basha në këtë histori dhe a ka qenë ai në dijeni të këtij fakti?

Nuk mjafton të jesh shumë i ditur për të kuptuar që Lulëzim Basha përfaqëson drejtuesin e komanduar opozitar më të paaftë që ka njohur historia e pluralizmit politik në Shqipëri. Duke qenë i tillë, nga një i paaftë mund të presësh gjithçka. Nuk ka asnjë dyshim që Lulëzim Basha ka qenë tërësisht i përfshirë në këtë inskenim, pavarësisht se shumëkujt mund t’i duket një person që s’ka kapacitete për të bërë të tilla skenarë. Kjo gjë nuk më çudit aspak sepse ka të bëjë me karakterin e tij njerëzor, se sikurse thotë një njohës i mirë i tij “Basha të gënjen edhe kur e pyet për orën e dorës”. Stani që mblodhi ai në PD këtë bulmet do të prodhonte. Lulëzimi përmendet disa herë, me emër dhe mbiemër, në përgjimet e zbardhura, nga komunikimet e Babales me familjarët e tij, me Alizotin dhe të tjerët aty në PD.

Në 25 maj, një ditë para protestës së organizuar nga opozita e kohës kundër meje ku u kërkua edhe dorëheqja ime si ministër i Brendshëm, kam bërë një deklaratë për mediat në të cilën ndër të tjera kam thënë se: “Në këtë rast nuk ka dhe nuk mundet të ketë një rrugë të mesme, dy të vërteta, apo gjysmë të vërteta. E vërteta ime dhe e vërteta e Lulëzim Bashës e përjashtojnë qartësisht dhe plotësisht njëra-tjetrën, ndaj kush gënjen, duhet të mbajë përgjegjësitë e duhura politike dhe ligjore. E sfidoj kryetarin aktual të PD-së, Lulëzim Basha që edhe ai të deklarojë se merr përsipër të gjithë përgjegjësinë politike, duke u dorëhequr nga drejtimi i kësaj partie nëse provohet se personi në audio-përgjim nuk është vëllai im, si personi i akuzuar prej tij”. E në fakt, protesta u mbajt dhe për nga pjesëmarrja është një ndër protestat më të turpshme të zhvilluara në bulevard, që u katandis në disa mitingashë rrethesh poshtë Ministrisë dhe që ai vetë për arsye që i di mirë (sikundër i di edhe unë) erdhi dhe i tërhoqi vetë me bisht ndër shalë. E dimë edhe se si përfundoi procesi gjyqësor dhe se cilat janë përfundimet e gjykatës, por Lulëzimi vazhdon avazin dhe as zverdhet, as skuqet e as nxihet. Për të ka rëndësi fort karrigia e kryeministrit, por e vërtetuar shkencërisht askush nuk mund të shohë ëndrrën që sheh dikush tjetër në gjumë.

Presidenti Ilir Meta priti pas vendimit gjyqësor në një takim ish-deputetin Salianji. Keni ju një koment për këtë?

Veprimi i tij si president nuk më çuditi dhe as si Ilir nuk më zhgënjeu. Ish-deputeti i Bashës ka të drejtë të trokasë në çdo derë opozitare, pasi ata e nxitën drejt këtij inskenimi dhe duhet t’i dalin për zot dështimit të veprës së tyre.

Sa ka qenë i përfshirë Sali Berisha në këtë histori sipas jush?

Për efekt të kësaj interviste kjo gjë ka pak rëndësi, por një fakt dihet mirë. Berisha është absolutisht babai i intrigës, shpifjes dhe fyerjes në politikë. Nuk arrij dot ta mendoj se si një person në moshën e tij, me gjithë atë formim kulturor e eksperiencë qeverisëse edhe sot vazhdon të ofrojë në publik të njëjtën gjuhë përçarëse, baltën, fyerjen e shpifjen për cilindo që nuk i përshtatet interesave të tij!! Ndaj është një person që nuk besoj se meriton më shumë komente.

Ka edhe zëra për përfshirje të disa prokurorëve e gjyqtarëve në këtë sulm ndaj jush, disa prej tyre edhe të shkarkuar tashmë nga vetingu. Në ndonjë rast kanë arritur ta shprehin këtë edhe publikisht në media. Keni një koment për këtë?

Jam fort mirë në dijeni për këtë gjë, si gjatë kohës që isha i angazhuar me reformën, por edhe kur shërbeva si ministër i Brendshëm. Këta janë disa individë që kanë pasur dhe kanë lidhje të afërta me nivele të larta politike, u kanë shërbyer në kohë të ndryshme të gjitha palëve dhe kjo u ka shërbyer pastaj si imunitet për t’u sjellë si gjobëvënës me biznesin dhe qytetarët. Nuk po ja përmend emrin askujt dhe këtë gjë ua kërkoj edhe juve sepse i përkasin grupit të kandidatëve për kërkim azili politik.

Po përgatiten për fundin e tyre, i cili shpresoj të jetë si fundi i çdo të korruptuari. Besoj se kjo do të ndodhë kur të përballen me ligjin. Njerëz si këta tipa më bëjnë nder më shumë kur më sulmojnë. Është turpi i atyre që ju japin mbështetje dhe ca më tepër zë e figurë individëve të tillë super të korruptuar. Në fakt në këtë rast këta të dytët janë të keqpërdorur për interesa të ulta politike, ekonomike e personale të të parëve.

Media i ka kushtuar një pasqyrim të gjerë historisë së audio-përgjimit dhe gjithë rrethit të personave të lidhur me të. Keni ndonjë koment për këtë fakt dhe cila ka qenë marrëdhënia juaj me to për këtë çështje?

E respektoj median në përgjithësi. Kam edhe raporte shumë të mira e miqësore me disa përfaqësues të saj. Kam një respekt të veçantë sidomos për analistët dhe gazetarët që kanë mbuluar reformën në drejtësi. Por në çdo rast pavarësisht afërsisë shoqërore, i kam qëndruar korrekt dhe profesionalisht marrëdhënies me ta.

Edhe pse sot media po kalon një periudhë të vështirë, përsëri në një mënyrë apo në një tjetër e vërteta e gjen veten të prezantuar nga një pjesë e mirë e saj.

Në këtë kuadër kam mirënjohje dhe respekt për mbulimin korrekt dhe të paanshëm që pjesa serioze e medias i ka bërë çështjes së audio-regjistrimit dhe çdo historie të rrjedhur prej kësaj çështjeje.

Nuk e fsheh që kam keqardhje që në disa raste media apo reporterë të veçantë qartësisht dhe mbi një disponim  politik apo për interesa të caktuara haptazi kanë komentuar jo bazuar në fakte e prova, por në hamendësime dhe trillime siç ka ndodhur edhe këto ditë me disa prej tyre.

…po diçka më specifike?

Natyrisht nuk mund ta fsheh që jam i zhgënjyer dhe i keqardhur më shumë me disa njerëz të medias, analistë e opinionistë të njohur si të tillë apo të vetëquajtur kështu, të cilët më parë i kam vlerësuar për profesionalizmin dhe paanësinë që ata kanë prezantuar, por që edhe në gjykimin e kësaj çështjeje nuk arritën  të ndajnë pozicionimin e tyre kundër qeverisë nga e vërteta e fakteve të njohura publikisht dhe të vlerësuara edhe prej tyre vetë si të tilla.

Në disa raste konstatova që edhe pse nga njëra anë prezantonin provat dhe faktet reale mbi këtë çështje, nga ana tjetër disa gazetarë, apo opinionistë në komentet e tyre  shfaqnin një lloj “delikatese” profesionale në trajtimin dhe demaskimin e këtij shantazhi të pastër politik të provuar si të tillë nga ato prova e fakte të prezantuara po prej tyre.

Natyrisht nuk po fus fare në këtë arsyetim ndonjë rast të veçantë perversiteti mediatik të krijuar nga mendje diabolike, nga ata që tërë jetën u janë paguar prurësit më të parë dhe që e kthyen sulmin ndaj meje, sidomos pasi unë u largova nga funksioni i Ministrit, në një sulm personal duke mos më kursyer asnjë anëtar të familjes. Kjo është tjetër llogari për të cilën nuk mendoj se ja vlen të shpenzojmë këtu kohë dhe energji.

Gjithësesi një gjë e them me siguri. Nuk jam nënshtruar përpara kurrkujt dhe nuk jam investuar në asnjë rast që ta blej apo ta këmbej me heshtjen e tyre. Kam pasur bindje të plotë në të vërtetën time, ndaj kam qenë edhe i hapur të kontribuoj në respekt të besimit te roli i medias vërtet të lirë dhe të pavarur për rritjen e transparencës publike dhe mirëqeverisjen e vendit.

Sot kemi një vendim gjyqësor penal për një politikan dhe për një kallëzim të rremë prej tij, ndërkohë që kemi dhjetëra të tilla për qytetarin e thjeshtë. Sipas jush, cili është efekti në politikë i këtij vendimi?

Janë të shumta historitë në këtë vend ku “shpifja e legjitimuar” ka pasur jo pak kosto njerëzore, psikologjike dhe politike, duke qenë se ka përdorur kostumin e ligjvënësit si mburojë. Jo, nuk mund të ketë asnjë gënjeshtër e asnjë shpifje që mund të amnistohet nga shoqëria. Koha kur politika bëhej duke përdorur akuzat false si kamxhik ndaj kundërshtarit politik dhe për vetë qytetarin, duhet të marrë fund njëherë e mirë. Pavarësisht se ne jemi në rivalitet si alternativa politike, sërish ndjehem i keqardhur kur konstatoj se ku përfundoi Partia Demokratike që dikur valëviste flamurin e shpresës, ndërsa sot valëvit flamurin e “Babales”. Nga grupi parlamentar me Jozefinën, Selamin, Imamin, Gazin, Astritin, Majlindën, Ilirin, Eduartin, Viktorin e shumë të tjerë, te trioja e Bardhit, Alibeajt dhe Salianjit me shokë! Më keq se kaq nuk mund të përfundonte një parti politike që lindi bashkë me pluralizmin dhe që qeverisi vendin prej gati 16 vitesh.

 Gjithësesi duket një ngjarje e rëndë për ju por edhe më shumë se kaq, për shoqërinë shqiptare dhe sidomos për politikën aktuale…

 Për të qenë realistë dhe të sinqertë, duhet të pranojmë se në këto kohë, shpifja dhe denigrimi (jo vetëm politik) për kundërshtarin politik po kthehet në një normalitet. Për fat të keq. Ti ndonjëherë çuditesh se me sa papërgjeshmëri absolute dhe me sa lehtësi përfaqësues të ndryshëm politik, apo mediatik, prezantojnë publikisht akuza nga më të ulëtat për kundërshtarët politik. Dhe me sa duket kjo histori kështu do të vazhdojë derisa “kokës” së ndonjërit apo ndonjërës prej këtij soji, me grushtin e ligjit ti bihet “bap”, kur goja e tyre bën “llap”. E kështu të tjerët të kuptojnë se duhet të mendojnë përpara se të nxjerrin fjalët shpifëse nga goja për tjetrin, se përndryshe ka kosto që i paguan. Këtë kuadër ligjor duhet ta forcojmë, ndryshe kjo kulturë e sjellje perverse dhe regresive do vazhdojë pafundësisht.

Cilat janë pasojat që ky proces ka lënë te ju sot?  Si ndjeheni tashmë?

Nuk kam asnjë iluzion që të besoj se ky ka qenë rasti i parë apo do të jetë i fundit kur sjellja politike e një përfaqësuesi të tillë apo dhe e një partie politike është në formë dhe në përmbajtje, sikurse sulmi/shantazh “Babale”, ndaj si një njeri me eksperiencë të gjatë politike tashmë, jam përpjekur ta përcjell gjithë këtë histori me racionalitetin më të madh të mundshëm. Jashtë çdo interesi e konsideroj vendimin e gjykatës si përgjigjen më të drejtë kundrejt atyre që u përfshinë në këtë sulm të ulët ndaj meje dhe familjes sime, të paktën atyre që u përfshinë dukshëm në përbaltje. Megjithatë, duhet të kuptoni dhe besoj kushdo e kupton se ka disa gjëra që asnjë vendim gjyqësor nuk mundet të t’i rikthejë.

Ka qenë një periudhë mjaft e vështirë për familjarët e mi në radhë të parë, por natyrisht edhe për mua. Në fund të fundit dua apo s’dua, unë jam pjesë e mjedisit ku vepron ky lloj llumi politik dhe nuk shpëtoj dot prej efektit të tij, ndërkohë nuk kishte arsye që familjarët e mi ta vuanin këtë fushatë baltosjeje. Më është dashur të jem shumë më i fokusuar me ta këto kohë dhe të kompensoj diçka me vëmendjen apo kujdesin tim të shtuar.

…pra vendimi ju ka lehtësuar peshën?

Ky vendim nuk më bën të harroj atë ç’ka kam përjetuar këtë periudhë dhe as të harroj lehtë padrejtësitë e bëra, veçanërisht atë çfarë sytë më kanë lexuar dhe veshët më kanë dëgjuar në adresë time dhe të familjes sime. Edhe kur është e hidhur, e vërteta ka ngushëllim brenda, por shpifja dhe sidomos përbaltja e qëllimshme, janë të vështira për t’u kapërdirë. Nga ana tjetër ajo është edhe një dëshmi se si mund të degradojë një forcë e madhe politike si PD-ja kur kauzën e parimeve dhe vlerave, e konverton me instrumentin e shpifjes. Është thuajse antinjerëzore që për qëllime të ulëta  e për karrierë politike të luash me dinjitetin dhe personalitetin e tjetrit. Është madje akoma më keq kur nga një mëkat i tillë kalon në një tjetër dhe ti nuk arrin të kuptosh që ke kaluar disa limite ligjore dhe morale, për të cilat duhet të paguash shtrenjtë më pas.  Në një vështrim, kjo mund të konsiderohet edhe si një tjetër dëshmi e betejës së gjatë që kemi me moralin në politikë dhe pritjen e momentit kur betejat do të ndërtohen mbi çfarë bëjmë dhe përfaqësojmë, për parimet dhe vlerat që mbrojmë e mishërojmë si zyrtarë e politikanë.

Një gjë është e sigurt. Kjo periudhë më ka bërë të kuptoj edhe më mirë se çfarë ndodh në realitetin politik, të njoh mirë njerëzit përballë dhe ata në krah. Padyshim, më ka bërë edhe më të fortë. Gjithësesi, pavarësisht asaj që ka ndodhur, vazhdoj të besoj pambarimisht tek e vërteta dhe drejtësia, madje, akoma më fort edhe te kauzat të cilave u jam përkushtuar për një drejtësi të paanshme dhe të barabartë për të gjithë. Shpresoj që koha të më japë të drejtë, sikurse po më jep deri më sot, e kryesorja të më japë forcë që të vazhdoj të besoj e luftoj edhe më shumë.

Për të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këtë përbaltje, kush pak e kush shumë, rikthej edhe njëherë atë që kam shprehur lidhur me këtë çështje në vitin 2010, në fjalën time në seancë plenare: “Zoti i ndihmoftë, e të jenë të sigurt se ai nuk harron! Unë bëj pjesë tek ata që besojnë fort se një ditë gjithkush paguan e duhet të paguajë për ligësinë e tij! Ka një llogari që mbyllet gjithmonë në këtë jetë, ashtu sikurse ka edhe një shpërblesë me mirënjohje për cilindo, për të mirat që bën dhe gëzimet që fal”!

Z.Xhafaj, ju faleminderit shumë për intervistën!

Ju faleminderit  juve për mundësimin e kësaj interviste të gjatë dhe sidomos për hapësirën dhe realizmin e dedikuar në trajtimin e kësaj çështjeje!/DITA