
Para se Meta të shkarkohet, Rama të na kërkojë ndjesë!
Dritare.net

Që Ilir Meta kishte vendosur të bënte rolin e Presidentit si burrë i Monikës dhe jo si burrë shteti kjo u kuptua qysh në qershorin e 2017-ës në të cilin ai, i pajisur me zarfe dhe eskorta horrash doli nëpër Shqipëri duke krisur për herë të parë pjatën në të cilën kishte
marrë 65 vota të socialistëve nga 87 në total.
Megjithatë ajo çfarë ndodhi mbrëmë është dëshmia e gjallë sesi pjata presidenciale u thye përfundimisht copë e grimë nga një njeri që pasi u vetëshit si dashnor i stabilitetit dhe
dialogut, i vuri flakën krizës politike duke thelluar hendekun mes dy palëve që më shumë se kundërshtarë politikë kanë katër muaj që sillen si armiq.
Interesant është fakti se kryetari i shtetit, u kujdes ta çirrte simbolin e unitetit të kombit
që supozohet të përfaqësojë, deri në detaje, duke mbyllur prononcimin e tij me shkrim me
shprehjen e dëshirës së përbashkët me opozitën për bërjen e Shqipërisë si gjithë Europa.
E duke e nisur pikërisht nga fundi i prononcimit të tij, ka disa pyetje që Presidenti duhet
t’ja kishte bërë vetes para se të lëshonte klithmën e njëanshme natën e djeshme.
Në cilën Europë ka shikuar Ilir Meta që Presidenti të bëhet palë në një konflikt kaq të ashpër politik?
Në cilën Europë ka shikuar Ilir Meta një President që çdekreton dekrete kur Kushtetua s’ja jep një pushtet të tillë?
Në cilën Europë ka shikuar Ilir Meta një President që me që nuk ka autoritetin moral të
ulë të shoqen dhe partnerin politik të saj në një tavolinë me kryeministrin, të vendosë ta luajë politikën e madhe siç luan politikë në partinë e tij familjare?
Në cilën Europe ka shikuar Ilir Meta një President që vendimet i merr dje, por shpjegimet i jep nesër sidomos kur këto vendime shpien vendin në udhëkryqe të rrezikshme? Por Ilir Metës këto pyetje i rrinë si një rrobë e ngushtë ndaj edhe s’mund t’ja veshë vendimeve të tij. Si pasojë ai mbrëmë ka marrë kurajon të bëjë një atentat ndaj Kushtetutës dhe Republikës.
Ilir Meta dje ka zgjedhur të bëjë me zë atë që këto dy vjet bënte në heshtje. Ky Brut i
famshëm i 2009, u ul nga roli i Presidentit në atë të tentakulës së Doktotit. Individualisht, kjo është një zgjedhje krejt në të drejtën e tij, por para se të ulej ai duhej të kishte burrërinë ( që në emër të origjinës së tij prej malësori thotë se ka ) të linte çelësat e kryetarit të shtetit.
Politika, kjo lojë e vjetër ka evoluar bashkë me kohën. Nga një përplasje gjakatare fizike
mes ushtrive të princërve sot është kthyer në një garim idesh mes grupimeve të ndryshme
ideologjike. E gjatë kësaj rruge etja e njeriut për pushtet i ka dhënë jetë instrumenteve të
ndryshme, një nga të cilët është grushti i shtetit.
Dikur, grushtet e shtetit i bënte ushtria. Në Shqipërinë tonë të çudirave grushtet e shtetit
i bën partia dhe zgjatimet e saj deri në krye të Republikës. Ky akt i Metës është padyshim i
paprecedentë e sigurisht do përbënte një çeshtje interesante studimi për politologët, por më parë se kaq duhet të jetë këmbëza që duke u shkrepur shpall edhe shkarkimin e tij nga ky post.
E përpara shkarkimit të Metës, Edi Rama, ndër shumë të tjera, i ka edhe këtë borxh
Shqiptarëve; një ndjesë që për hatër të strategjisë së tij prej një makiavelisti të shkujdesur, i dha vendit peshqesh një Ilir Metë që si President s’e donte as populli, as votuesit socialistë e me sa duket as Meta veten./dritare.net

















