
Nga Alban Cakalli
Dje isha pjesë e takimit të Dialogut për Bujqësinë në Cërrik.
U fol hapur për çdo problematikë që prek sektorin: nga korrupsioni, siguria ushqimore, pesticidet, politikat mbështetëse, bursa, ujitja dhe rezervuarët, te problemet me pronat dhe kriza e thellë në blegtori, e cila po shkon drejt zhdukjes. Ajo që kuptova është se, për herë të parë, u pranua hapur thellësia e problemeve që përjeton bujqësia shqiptare.
Nuk e di nëse Edi Rama e kishte më parë një pasqyrë të qartë të gjendjes reale, por ky ishte rasti i parë kur grupet e interesit ia thanë në sy situatën e vërtetë. A do të ketë vullnet për të ndryshuar gjendjen? Këtë nuk mund ta them me siguri. Por ajo që di me bindje është se, po të ekzistojë vullneti i sinqertë politik, në bujqësinë shqiptare mund të ndodhin mrekulli.Organizimi i grupeve të interesit, fermerë, agro-përpunues, grumbullues, eksportues, është thelbësor. Vetëm përmes një presioni të koordinuar dhe të vazhdueshëm mund të ndryshohet realisht situata, pa cenuar interesat e drejta te palëve të tjera. Për 30 vite me radhë, fermeri shqiptar ka qenë i pambrojtur dhe më i godituri nga të gjitha politikat dhe vendimet. Deri më sot, janë importuesit, fallsifikuesit, përpunuesit ata që kanë ndikuar drejtpërdrejt në politikat bujqësore, të lidhur ngushtë me pushtetin, duke çuar drejt zhdukjes vetë fshatin shqiptar. Nuk dua që t’i lutemi kryeministrit të ndryshojë politikat për bujqësinë, por nuk kemi zgjidhje tjetër për momentin. Pas kaq shumë viteve në pushtet, ai duhej të ishte detyruar tashmë t’i kishte bërë politikat në favor të fermerëve. Politikat që ndihmojnë fermerin janë politikat që zhvillojnë fshatin, sigurojnë qëndrueshmëri, rrisin mirëqenien e qytetarit dhe sjellin stabilitet edhe për përpunuesit. Nëse një ditë Shqipëria do të anëtarësohet në BE pa një bazë të fortë fermerësh aktivë, të parët që do të zhduken nga tregu do të jenë vetë përpunuesit dhe menjëherë pas tyre importuesit. Sepse futja në rrjetet e mëdha evropiane sjell konkurrencë dhe standarde të larta, për të cilat sot shumë aktorë në zinxhirin ushqimor nuk janë të përgatitur. Prandaj fermerin duhet ta shohin si partner, jo si një mundësi për ta shfrytëzuar. Në takim u hodhën edhe ide që shkonin në kundërshtim të plotë me zhvillimin real të sektorit. Në takim ishin dhe një pjesë e atyre që e kanë derguar bujqesine në këtë gjëndje. Është thelbësore të nxisim dhe mbështesim politikat e drejta, ndërsa ato që dëmtojnë sektorin nga interesa të ngushta grupesh duhet t’i kundërshtojmë me forcë. Më pëlqeu idea që UBT të ketë rol më të madh në bujqësinë shqiptare. Bashkimi i fermerëve është forca më e madhe për të ndryshuar gjendjen ku ndodhemi sot.
Uroj të bëhet ndonjë gjë e vërtetë për bujqësinë!/Dritare.net

















