
Nga Alba Malltezi
Vazhdojmë të jetojmë në një ekzistencë gati skizofrenike të ngjarjeve në jetën tonë të përditshme: Të dënuar të përjetojmë ekstreme: Bukuri prekëse, por dhe ndotje therëse! Dëshirë për rregulla e ligj, por dhe shkelje flagrante dhe injorim shtetformimi! Luftë për të fituar administrimin e qyteteve, por dhe indiferencë dhe përkushtim për përfitim. Shqipëria duket se goditet përditë nga miniuraganë që e çojnë sa nga një anë në tjetrën duke e lodhur, cfilitur shpirtërisht e mendërisht.
Fjalët e ripropozuara këto ditë të një antropologu dhe albanologu të rrallë, Robert Elsie, në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga, duhet të na mbeten këmbanë në kokë: A do të mund të jetonte dot ai në Shqipëri? Përgjigja është sa e butë, aq edhe e egër, sa elegante, aq edhe brutale për ne shqiptarët! I madhi Robert Elsie nuk do të jetonte dot mes egërisë sonë! Do ta ndjente veten si një lepur mes… Mes ujqërish? Mes të fortësh? Mes individësh që edhe kur të shajnë thonë se e bëjnë ngaqë të duan?
A ka ardhur koha të ndryshojnë gjërat mes nesh? A nevojitet më edukatë, më harmoni, rregulla dhe vija të kuqe që nuk duhen kaluar? Qytetërimi e ka bërë përmes revolucioneve të dhimbshme sepse e ka parë të domosdoshme për bashkëjetesën paqësore e të ekuilibruar. Fetë dhe besimet gjithashtu kanë punuar fort për të latuar cepat e thikëta të keqdashjeve njerëzore. Po tek ne? Duket sikur njerëzit i kanë këto cepa të thikëta edhe më të mprehta se ato të Bjeshkëve të Namuna e i përdorin pa të keq për njëri tjetrin. Po qytetërimi i vërtetë bën altar natyrën dhe limon egërsinë njerëzore. Një sfidë e domosdoshme për Shqipërinë e 2025!/shqiptarja.com

















