Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Furtunë dorëheqjesh në administratën vendore. Largime masive në Dibër dhe Krujë

Furtunë dorëheqjesh në administratën vendore. Largime masive

Një valë dorëheqjesh ka përfshirë këtë të martë qarkun e Dibrës dhe bashkinë e Krujës, ku dhjetëra drejtues të njësive administrative, nënkryetarë bashkish dhe drejtorë lokalë kanë lënë detyrat e tyre.

35 dorëheqje në Qarkun Dibër
Në qarkun e Dibrës janë dorëhequr 35 drejtues të njësive administrative në katër bashkitë e këtij qarku: Dibër, Bulqizë, Mat dhe Klos. Kryetarët e këtyre bashkive zhvilluan takime me administratorët, ku iu komunikua urdhri i Kryeministrit Edi Rama për largimin nga detyra të të gjithë atyre që kanë më shumë se tre vite në pozicionin aktual.

Në Bashkinë Dibër kanë dhënë dorëheqjen 15 administratorë,
Në Bulqizë 8 administratorë,
Në Mat 8 administratorë,
Në Klos 4 administratorë.
Gjithashtu, janë larguar edhe zv/kryetarët e bashkive:

Në Dibër dhe Bulqizë janë dorëhequr nga dy zëvendëskryetarë për çdo bashki. Dorëheqjet janë kërkuar në mënyrë të koordinuar, për të shmangur kostot ekonomike që mund të lindin në rast se ish-zyrtarët padisin pushtetin vendor në gjykatë. Ndërkohë, dorëheqje pritet të paraqesin edhe drejtorët e drejtorive në këto bashki.

Dorëheqje edhe në Bashkinë e Krujës
E njëjta situatë është shënuar edhe në Bashkinë Krujë, ku administratorët e njësive administrative Fushë Krujë, Cudhi, Thumanë, Bubq dhe Nikël, së bashku me dy nënkryetarët dhe disa drejtues të drejtorive bashkiake, kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre pranë kryetarit të bashkisë, Artur Bushi.

Kryetari Bushi ka njoftuar ngritjen e një grupi pune që do të shqyrtojë performancën e secilit prej tyre, për të vendosur mbi ecurinë e mëtejshme në administratë.

Kjo valë dorëheqjesh vjen si pjesë e një pastrimi strukturor në administratën vendore, i cili po zbatohet në disa bashki të vendit, në kuadër të një procesi riorganizimi të thellë./K.C/dritare.net