Na ndiqni edhe në

Diaspora

Njihuni me shqiptaro-francezin që ka përkthyer “Lahutën” në frëngjisht: Fishta më nxori nga monotonia e një periferie të shëmtuar pariziene

Njihuni me shqiptaro-francezin që ka përkthyer

Nga Jonida Hitoveizi Për Abidinin, nuk kisha dëgjuar kurrë më parë, derisa emrin tij ma përmendi një mikesha ime gazetare që jeton në Bruksel. Më intrigoi fakti, që një djalë i ri kishte marrë guximin të përkthente “Lahutën e Malcis” në frëgjisht. Një punë e jashtëzakonshme, ndaj kërkova të njihja më shumë se kush ishte ky djalosh me origjinë shqiptare dhe përse kishte harxhuar më shumë se dy vite përkushtim për një vepër të tillë, ndërkohë që faRe mirë me një libër më komercial, arrin të lakohesh ngado. Abidin Krasniqi, i lindur në Francë me baba shqiptar dhe nënë franceze, që prezantohet për herë të parë për publikun shqiptar në dritare.net, tregon se ai e ka pasion epikën dhe letërsinë folklorike. Ai tregon se ambicia e tij është ajo që të bashkojë tekstet origjinale nga të gjitha trevat shqipfolëse, t'i përkthejë, t'u sigurojë shënime shpjeguese, hyrje të hollësishme dhe t'i botojë në Francë. Dhe e gjithë kjo punë veç prej pasionit dhe vlerave që ka eposi ynë, folklori shqiptar. Abidin Krasniqi rrëfen se personazhet e “Lahutës” e nxorën nga bota monotone e jetës, në një periferi të shëmtuar të Parisit. Dritare.net- Abidin së fundmi ju keni përkthyer në frëngjisht Lahutën e Malësisë. Çfarë e shtyu një djalë të ri si ju që t’i hynte një punë kaq kolosale? Në të vërtetë, kur fillova dhe ndërsa po përktheja, nuk e kuptoja sesa punë ishte. Unë fillova ta përktheja “Lahutën e Malcis” sepse, prej fëmijërisë time

e kuptoja mirë gjuhën e Fishtës. Kjo është gjuha që unë trashëgova nga babai im. Tjetra është, që unë doja të bëja diçka për njohjen e kulturës shqiptare jashtë vendit. Duke qenë se zotëroj gjuhën frënge, mendova se kjo aftësi e dyfishtë ishte e rrallë. Plus unë gjithmonë kam qenë i apasionuar pas epikës. Dritare.net- Cili ishte frymëizmi i parë për Fishtën a ka interes për lexuesit? Leximi i parë i Lahutës ndërsa isha ende shumë i ri. Mendoj se isha 13 vjeç kur e lexova librin për herë të parë. Isha i hipnotizuar dhe i mahnitur në të njëjtën kohë. Duhet thënë se në atë kohë e ndjeja veten shumë më tepër shqiptar sesa francez, megjithëse kisha lexuar shumë pak letërsi shqipe. Universi i personazheve legjendarë të kuçedrave, drangojve, orave dhe zanave më bëri të ëndërroja. Përshkrimi i personazheve, siç është ai i Oso Kukës apo Marash Uci më bëri që të udhëtojë, më nxori nga bota monotone e jetës në një periferi të shëmtuar të Parisit. Dritare.net- Çfarë dinit më parë për Fishtën? Dija pak. E dija që Fishta ishte nga Shkodra, që kishte qenë frat françeskan. Babai im, i cili gjithashtu e pëlqente “Lahutën”, më kishte thënë se sa e rrezikshme ishte të kapesh me atë libër nga policia në Jugosllavi para rënies së komunizmit. Dritare.net- Çfarë elementësh ju kanë befasuar apo lënë më tepër mbresa në këtë vepër? Ana mitike e Lahutës më bëri përshtypje më shumë. i imagjinoja fiset e maleve shqiptare akoma siç përshkruhen nga Fishta. Ëndërroja të udhëtoja në Malësi në dimër dhe të kërkoja mikpritje duke trokitur në një derë të panjohur. E gjithë kjo më bëri përshtypje më shumë sesa cilësitë letrare të Lahuta. Këto cilësi, i zbulova dhe i shijova dy vjet e gjysmë më parë kur fillova përkthimin. Dritare.net- Ju keni lindur në Francë, ndërkohë nëna juaj është franceze e babai shqiptar. Si keni mundur të përvetësoni një shqipe të mirë? Është e nevojshme të themi realitetin: nëna ime pranoi fshirjen pothuajse të plotë të kulturës së saj franceze. Ajo mësoi shqip dhe është kjo gjuha, në të cilën ajo na foli. Nga ana tjetër, babai im insistoi që një ditë të ktheheshim në atdhe (diçka që nuk ndodhi). E gjithë kjo do të thotë që jam rritur në izolim të plotë, që nuk kam mësuar frëngjisht deri vonë. Dritare.net- Si ka mundësi që ju ka tërhequr letërsia shqipe, teksa kontaktet me vendin e babait po dhe me shqiptarët besoj duhet të kenë qenë më të rralla se dikush që lind e rritet në Shqipëri apo Kosovë? Kjo është një mister, madje edhe për mua! Shpesh thuhet se kemi një lidhje të lindur, pothuajse gjenetike me origjinën tonë. Unë nuk e di nëse kjo është gjithmonë e vërtetë, por në rastin tim ajo ishte. Dritare.net- Kush ka qenë “bibla” së cilës

i jeni referuar më shumë gjatë përkthimit? Si shembull, unë kisha përkthimet frënge të autorëve klasikë në koleksionin "Budé", i cili është në Francë një referencë shkencore. Sa i përket shpjegimeve të fjalëve ose koncepteve që nuk i kuptoja, shumë burime më ndihmuan. Për shembull, fjalori i Tahir Kolgjinit (Shpalime rreth Lahutës së Malcis), fjalori i Mehmet Elezit, Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, fjalorët "Gazulli" dhe "Bashkimi" etj. Përpunimi i shënimeve shpjeguese ishte i mundur falë shumë burimeve (librave të Hyacinthe Hecquard, Edith Durham, Margaret Hasluck, Eqrem Çabej, Robert Elsie, Nathalie Clayer, George Gaërych në veçanti). Dritare.net- Abidin, ti si ndihesh më shumë francez apo shqiptar. Cili personalitet dominon më tepër tek ty? Kjo është një çështje komplekse që prek shumë aspekte. Mund të thuhet me dy fjalë: Kur jam në Francë, ndihem shqiptar, kur jam në Kosovë ose në Shqipëri, ndihem francez. Në fakt, jam krenar që kam dy kultura, dy origjina. Dua që francezët ta njohin dhe mirënjohin kulturën tonë. Por gjithashtu dua që shqiptarët të marrin shembullin e Francës dhe Europës) në zhvillimin e një shoqërie demokratike, tolerante dhe egalitare. Dritare.net- Beson se Shqipërinë e duan më shumë njerëz si ju, që

jetoni jashtë dhe bëni vepra të tilla aty ku jetoni? Absolutisht! Në Francë ka shqiptarë, por për fat të keq pak prej tyre i kushtohen kulturës. Edhe pse letërsia e huaj (përveç disa ‘best sellers’ – njëri prej tyre ka qënë edhe vet Ismail Kadare ) është pak e përkthyer dhe nuk lexohet gjerësisht në Francë, ka një hapësirë për të bërë të njohur autorët tanë të talentuar. Sidoqoftë, shqiptarët janë një popull i vogël dhe pavarësisht kësaj, ata shkëlqejnë jashtë vendit në shumë fusha (futboll, xhudo, muzikë...). Dritare.net- Çfarë kontaktesh ke me shqiptarët dhe cilat tipare mendon se dominojnë personalietin e shqiptarit? Është një pyetje e vështirë. Unë njoh pak shqiptarë. Prindërit e mi u ndanë ndërsa isha ende i ri dhe që nga ai moment u largova nga rrënjët e mia shqiptare. Nuk u afrova deri para tre vjetësh me fillimin e përkthimit të Lahutës së Malcís. Për t’iu përgjigjur pikës së dytë të ngritur nga pyetja juaj, unë do të thosha se shqiptarët ndonjëherë janë krenarë edhe mendjemëdhenj. Në nivel më të lartë, korrupsioni dhe dembelizmi që mbizotëron sot në institucionet shtetërore (unë vetë jam përballuar me disa raste), parandalon zhvillimin ekonomik, kulturor dhe shoqëror. Unë nuk jam politikan dhe nuk kam dëshirë të hyj më tej në debate, por besoj që çdo shqiptar, kudo që të jetë, duhet të punojë më shumë për interesin e përbashkët./ Dritare.net