Foto/ Kryepeshkopi Joan drejton Meshën e Ujit të Bekuar në Durrës, anulohet ceremonia e hedhjes së kryqit në det
Dritare.net

Kryepeshkopi i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Joan, drejtoi Meshën e Ujit të Bekuar në kishën orthodokse “Apostull Pavli dhe Shën Asti” në qytetin e Durrësit. Ceremonia u zhvillua në prani të besimtarëve, të cilët u mblodhën për të kremtuar këtë festë të rëndësishme të kalendarit orthodoks, që simbolizon pagëzimin e Krishtit dhe bekimin e ujërave.

Gjatë shërbesës fetare, Kryepeshkopi Joan u lut për paqen, shëndetin dhe mbarësinë e besimtarëve, si edhe për forcë dhe shpresë për të gjitha familjet që po përballen me vështirësi. Ai theksoi rëndësinë e solidaritetit njerëzor dhe ndihmës ndaj atyre që janë prekur nga fatkeqësitë natyrore.

Për shkak të situatës së rëndë të krijuar nga përmbytjet në disa zona të vendit dhe për arsye sigurie, u vendos që ceremonia tradicionale e hedhjes së kryqit në detin Adriatik të anulohej. Autoritetet kishtare sqaruan se vendimi u mor me përgjegjësi të plotë, duke pasur në konsideratë mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

Megjithëse ceremonia në det nuk u zhvillua, Mesha e Ujit të Bekuar u krye brenda ambientit të kishës, ku besimtarët morën ujin e bekuar, duke ruajtur kështu frymën shpirtërore dhe domethënien e festës./K.C/dritare.net