Na ndiqni edhe në

Fjorda di një Vend

Një replikë për ju që shatë Sunny Hill Festival!

Një replikë për ju që shatë Sunny Hill Festival!

Nga Fjorda Llukmani Këtë fundjavë me shi në Vjenë e kalova duke parë story-t e miqve të mi në Instagram që ishin në Sunny Hill Festival në Prishtinë. Plasa nga zilia. Sa bukur që dukej dhe të gjithë më shkruanin organizim i paparë, tamam si jashtë shtetit, festivali më i bukur në trevat shqiptare, etj. S’kisha nevojë për komentet e tyre për të kuptuar sa profesionalizëm kishte në çdo punë me detaje. Me keqardhje të madhe që s’munda të isha pjesë kam lexuar çdo artikull e kam parë çdo video të mundshme. Sot në mëngjes lexoj një status me shumë vend të Fatma Haxhialiut që shkruante: "Dua Lipa; yll ndërkombëtar, sensacioni i momentit, çmime të mbushësh një mëhallë, ambasadore e denjë e shqipove nepër botë, promovon vendin e saj sa herë i jepet mundësia, organizon festivalin më të madhe ever në tokat shqiptare, fton yje të muzikës botërore, ndihmon konkretishtttt me fonde vendin dhe njerëzit e vet. Shqipot: na mori fytyrën kjo, çdo vit sjell një të dashur të ri që e shoqëron???????’’. Në komentet e saj ndeshem me një prej artikujve më idiotë të ditës nga Newsbomb.al. Unë nuk isha në Sunny Hill, por me aq festivale sa kam parë në Shqipëri e nëpër botë dhe një herë kam ndihmuar në organizimin e njërit prej tyre s’më rrihej pa i bërë replikë këtij artikulli që ndjell vetëm vrer e negativitet e nuk është aspak i saktë. Personazhi që shkruan thotë se çmimi i biletës prej 80 eurosh nuk qenka i justifikueshëm dhe i quan lekë të hedhura dëm. Pagesa e hyrjes nëpër clube kur këndon Ledri apo të tjerë këngëtarë të momentit është rreth 10 euro. Në disa raste për shkak të fluksit je i detyruar të prenotosh dhe tavolinë me shishe që shkon diku tek 120 euro. Edhe ti po më thua që 80 euro qenkan shumë për të parë Calvin Harris, Miley Cyrus edhe 40 veta të tjerë përfshirë artistët më të mirë të Shqiptarisë në moment? Sa për një saktësim të vogël biletat fillonin nga 50 euro po t'i blije online disa muaj më parë. Një tjetër fjali që duhet zhdukur nga çdo gazetar apo njeri që flet në media: "Por siç ndodh rëndom, kur organizojnë shqiptarët… për t’u bërë milionerë brenda natës, gjërat nuk shkojnë siç duhet." Më falni zotrote, ju që po shkruani s’jeni shqiptar? Ç’është kjo mani me fol për njerëzit që i përkasin të njëjtit komb, sikur s’janë të njëllojtë me ne? Çfarë ju duket vetja more? Ai organizatori shqiptar që flet ti ka lindur e ka rritur një yll botëror si Dua Lipa. Ka lekë mjaftueshëm atje ku është, e s’do të pasurohet brenda natës. Në vend që me thonë faleminderit që ju shkon mendja për të bërë diçka të mirë për vendin tuaj, ju flisni broçkulla. Meqë ke përmendur sesa lekë ka dhënë birra Peja apo Marlboro, pse s’thua edhe sa lekë merr mesatarisht një këngëtar ose DJ si ata që ishin në Sunny Hill? Sa për informacion vetëm Calvin Harris kushton mesatarisht nga

300,000 – 500,000 euro në varësi të kontratës. Pa hë bjeri lapsit një herë me lekët e sponsorëve a mbulohen kollaj shpenzimet? Nuk e keni as idenë më të vogël sa

njerëz janë që punojnë për të bërë ato 3 ditë aq të bukura për vizitorët që thjeshtë kërcejnë. Ky festival do 1 vit të përgatitet. Mos të flas vetëm për punëtorët e skenës, ndriçimit, ekraneve edhe pjesës teknike sa të shumtë që janë në numër. Barista, pastrues, security, kameramanë, gazetarë, grafik, dizajnerë. Janë shpenzime kudo, nuk është kollaj të nxjerrësh fitimin në fund. Të gjithë këta punojnë për t’ju kënaqur juve që s’ju bëhet qejfi asnjëherë! Personi që shkruan ankohet se kishte shumë security. Jam e sigurt që po të kishte pak do të thoshte ‘Ua pse kishte kaq pak?’ Kudo nëpër botë nuk të lejojnë të futesh me çakmak në festivale, po kështu është kur s’di ç’bëhet jashtë e jep mend nga guaska ku vegjeton. Çakmaku quhet lëndë eksplozive dhe nuk mund të futet në ambiente të mbipopulluara pa u kontrolluar mirë. S’plasi njeri të shesë çakmakë brenda se Marlboro ta jep falas për promocion. Në një koncert të madh që kam marrë pjesë më kanë hequr çakmakun dhe antidjersën. Janë rregulla sigurie edhe nëpër aeroporte po t’ia kesh idenë. Megjithatë korrespondentëve të mi atje s'u ka marrë njeri çakmakun te dera. Dhe po të kesh lekë sa për të blerë një biletë 80 euro, besoj ke mundësi ta paguash dhe një çakmak apo jo? Sa për pjesën që disa prej këngëtarëve kënduan playback kjo s’është ndonjë gjë e re se e njëjta ndodh edhe nëpër clube. Sigurisht do të ngelesh edhe i pakënaqur me disa prej tyre se s’mund të shkojë çdo gjë në perfeksion. Më thanë që Gashi paska bërë nja dy skena të cilit i kanë rënë vathët në tokë e ka shpërthyer me mikrofon në dorë duke komentuar me nerva. Gabim prej Gashit, por ç’faj ka organizatori në këtë rast se çfarë i shkrep truri artistit të flasë në ato momente? Ndërkohë për monopolizimin e taksive e keni shumë gabim. Ka patur vetëm një kompani taksish është e vërtetë dhe kjo është zgjedhje e organizatorëve për mos të bërë rrëmujë me shumë makina e kontrolle të një pas njëshme. Ama ka patur dhe autobusë, të cilat personi në fjalë në artikullin e vet ka shkruar që nuk ekzistonin, madje i jepte mend organizatorit Dukagjin Lipës që të nxirrte mësime për vitin tjetër. Ku është ai e ku je ti d.m.th! Në fund të artikullit thotë: ‘Por, ajo që ishte më e shëmtuara ishte defekti me foninë e Sunny Hill Festival dhe kjo ndodhi pikërisht kur në skenë do të dilte Calvin Harris. Ai nuk dukej, ekranet u fikën. Kjo solli daljen në skenë të Dua Lipës. Por edhe ajo, edhe pse doli në skenë, nuk arriti të shquhej nga turma e njerëzve të festivalit sepse nuk punonin ekranet.’ Tani ndaje mendjen ishte defekt i fonisë apo i ekraneve? Jo për gjë po janë dy gjëra komplet të ndryshme nëse se ke vënë re. Dhe sa për informacionin tuaj dritat dhe ekranet janë fikur sepse e tillë ka qenë kontrata e Calvin Harris me festivalin. Një emër i madh e aq i njohur si ai, ka pika të ndryshme në kontratën e vizualitetit. Që të postosh një foto të Calvin duke luajtur në skenën e Sunny Hill Festival, do mijëra euro më shumë. Kështu që për arsye imazhi ka patur vetëm efekte vizuale dhe s’mund të shikoje fytyrën e DJ. Në botë ekzistojnë shumë ligje për data protection dhe copyrights që në Shqipëri s’kanë filluar akoma. Pse s’lavdëroni për shembull ndriçimin dhe laserët që dhanë superatmosferë? Mirë që s’dini vetë, po ç’taksirat ka publiku i shkretë të keqinformohet prej jush? Nuk e di pse keni maninë të shikoni gjithmonë anën negative të gjërave apo të shani çfarë ju del para, biles edhe të shpikni. Jeni bosh me jetën tuaj që shikoni të të tjerëve se s’ka mundësi. S’ju pëlqen që Dua Lipa erdhi me të dashurin e ri dhe e nxori hapur. S’është bota si ne që e quan tabu të dashurin. Nëse në familje prezanton shokët e shoqet e ngushta, pse mos të dalësh hapur dhe për njeriun e zemrës? Kur vjen puna te jeta juaj personale, i ndërroni dashnorët sipas qejfit ama nuk quhet se i bëni fshehur. Kjo që del hapur hajde ta bëjmë raprezale. Në përfundim doja të falënderoja me respekt të veçantë ata njerëz që nuk e harrojnë origjinën e tyre. Me përulësinë dhe thjeshtësinë më të madhe përpiqen t'i japin diçka vendit të vet dhe pse s’kanë asnjë detyrim në fund të fundit. E bëjnë me zemër duke marrë parasysh sa nevojë kemi ne për t'u njohur në botë e për aktivitete të bukura rinore. Sa për ju të tjerët që jeni ‘Mos bëj si bëj unë, por bëj si them unë’, atëherë kurrë mos u kënaqshi!/dritare.net