Nis Kuvendi i Parë Kombëtar Qytetar, tensione gjatë mbledhjes
Dritare.net

Në ditën e 49-të të protestës ka nisur Kuvendi i Parë Kombëtar Qytetar, një nismë e organizatorëve për të mbledhur përfaqësues nga qytete të ndryshme të vendit dhe për të diskutuar propozime e hapa të mëtejshëm të lëvizjes.
Takimi u çel me himnin kombëtar, ndërsa para fillimit të diskutimeve nisi edhe procesi i anëtarësimit dhe regjistrimit të pjesëmarrësve.
Gjatë fjalimeve të para, organizatorët thanë se qëllimi i këtij kuvendi është t’u japë qytetarëve mundësinë për të shprehur qëndrimet dhe propozimet e tyre.
Por gjatë zhvillimit të mbledhjes nuk munguan tensionet. Disa pjesëmarrës kundërshtuan mënyrën e organizimit të kuvendit, duke pretenduar se nuk ishin njoftuar dhe se në sallë nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e të gjithë protestuesve.

“Mosha mesatare këtu është mbi 45 vjeç, këtu nuk shoh asnjë nga marshimi. Nuk jemi lajmëruar”, u shpreh një prej protestuesve.
Po ashtu, disa persona kërkuan të merrnin fjalën gjatë takimit, por u përballën me kundërshtimin e organizatorëve, të cilët kërkuan respektimin e rendit të ditës.
Situata u shoqërua me debate dhe replika të forta në sallë, ndërsa organizatorët kërkuan që diskutimet të vijonin sipas programit të përcaktuar.
Në fund të përplasjeve, takimi vijoi me diskutime për mënyrën se si do të organizohet më tej nisma dhe hapat që do të ndërmerren pas protestës./L.F-dritare.net