Zjarr shkatërrues në Hong Kong. 44 të vdekur dhe mbi 270 të zhdukur
Dritare.net

Një zjarr vdekjeprurës ka përfshirë një kompleks të madh banimi në Hong Kong, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 44 personave më shumë se 270 të zhdukur. Autoritetet thonë se ky mund të jetë zjarri më vdekjeprurës në qytet që nga Lufta e Dytë Botërore.

Zjarri shpërtheu në kompleksin e banimit publik Wang Fuk Court, në distriktin Tai Po, dhe u përhap në shtatë kulla banimi ku jetonin mbi 4,000 banorë, shumica prej tyre të moshuar. Më shumë se 20 orë pas shpërthimit të flakëve, zjarrfikësit ende po luftojnë për të vënë nën kontroll të paktën tre ndërtesa, ndërsa ekziston frika reale për shembjen e tyre.

Kompleksi ishte në proces rinovimi dhe ishte i mbuluar me skela prej bambuje dhe rrjeta mbrojtëse – një teknikë ndërtimi e përdorur gjerësisht në Hong Kong, e cila dyshohet se ka ndihmuar në përhapjen e shpejtë të flakëve.

Bilanci i viktimave
66 persona janë shtruar në spital
17 në gjendje kritike
24 në gjendje të rëndë
Banorë të zhvendosur
Qindra familje kanë mbetur pa shtëpi në një qytet që tashmë përballet me mungesë të madhe strehimi. Rreth 900 persona janë vendosur në strehimore të përkohshme.
Vështirësi në shpëtim
Zjarri i fuqishëm, temperaturat ekstreme dhe mbeturinat që binin nga ndërtesat penguan operacionet e shpëtimit. Autoritetet u kërkuan banorëve të bllokuar të mbyllnin dyert dhe dritaret me shirit ngjitës dhe peshqirë të lagur.
Reagimi i Kinës
Presidenti kinez Xi Jinping shprehu ngushëllimet për viktimat dhe akordoi 2 milionë juan për ndihmë emergjente përmes Kryqit të Kuq. Kompani të mëdha si Xiaomi, Tencent dhe Anta njoftuan donacione në vlerë prej 6.4 milionë dollarësh.

Hetim penal
Autoritetet kanë nisur një hetim penal për mënyrën “të pazakontë” të përhapjes së zjarrit. Tre persona – dy drejtorë dhe një konsulent i një kompanie ndërtimi – janë arrestuar për dyshime për neglizhencë të rëndë. Po ashtu, po hetohet nëse materialet e ndërtimit përmbushnin standardet e sigurisë nga zjarri.
Zjarri u klasifikua si nivel pesë, shkalla më e lartë e emergjencës në Hong Kong, një nga qytetet më të dendura në botë për sa i përket rrokaqiejve./L.F-dritare.net