Altin Prenga për festat e nëntorit: Festojmë me flamuj kinezë, por braktisim prodhimet vendase
Dritare.net

Altin Prenga, një nga emrat më të njohur të gastronomisë shqiptare dhe restorantit “Mrizi i Zanave”, ka reaguar me tone kritike ndaj mënyrës se si po festohet Dita e Flamurit. Në një postim në rrjetet sociale, ai shpreh shqetësimin për përdorimin masiv të flamujve të prodhuar në Kinë dhe mungesën e mbështetjes për prodhuesit vendas, bujtinat dhe artizanët shqiptarë.
Sipas Prengës, shqiptarët shpenzojnë pa problem për luks dhe argëtim, por hezitojnë të mbështesin fermerët dhe prodhuesit e vegjël vendas, duke i konsideruar produktet e tyre si “të shtrenjta”. Ai thekson se shumë biznese lokale në veri dhe jug të vendit po mbesin bosh gjatë festave, ndërsa pushimet po kalohen jashtë Shqipërisë.
Në fund të mesazhit të tij, Prenga uron që vitet në vijim të sjellin më shumë ndërgjegjësim dhe mbështetje për ekonominë vendase.
"Edhe këtë vit si çdo vit erdhën festat e flamurit, me miliona flamuj të prodhuar në Kinë. Do mbushin sheshet e qyteteve tona, do mbushin gjithë botën, aty ku ndodhemi sepse ne jemi në gjithë botën. Edhe ato pak njerëz që janë në Shqipëri do i festojnë pushimet jashtë dhe jo në atdhe. Bujtinat e jugut edhe të veriut të Shqipërisë nuk do festojnë këtë vit, sikur çdo vit, dhe as prodhuesit vendorë, dhe as artizanët tonë.
Sepse ato i përçmojmë, na duken të shtrenjta, ndërkohë që mund të paguajmë edhe pesëfish, edhe dhjetëfish një produkt tjetër. Ku vjen puna për Mercedes, nuk i kursejmë paret. Kur vjen puna me vu edhe këngë në tallava dhe t'i hedhim kështu lekët, nuk është problem fare. Aty nuk nuk i kursejmë. Por ama, ai komshia ose ai fshatari i vogël që ka ato vezët, ai i ka shumë shtrenjtë. Ajo është shumë problem. Hajde gëzuar, shpresojmë vitet që do vijnë me mend të tjera", u shpreh Altin Prenga./L.F-dritare.net