Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Zgjedhjet në Kosovë/ Vetëvendosja nominon Albin Kurtin për kryeministër

Zgjedhjet në Kosovë/ Vetëvendosja nominon Albin Kurtin për
Lëvizja Vetëvendosje e ka nominuar sërish kryetarin e saj Albin Kurtin për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Vendimi është marrë në mbledhjen e 61-të të Këshillit të Përgjithshëm të partisë që po mbahet të mërkurën.

Glauk Konjufca nga kjo parti, i cili e shpalli nominimin e Kurtit për kryeministër, e ka cilësuar atë si kryeministër më të suksesshëm dhe të më votuarin nga populli në historinë e demokracisë parlamentare.


“Jemi mbledhur që sot ta nominojmë kryeministrin e ardhshëm nga radhët e Vetëvendosjes, unë do ta nominoj më të votuarin nga populli ynë në historinë e demokracisë parlamentare. Më meritorin në udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje, liderin e transformimit social dhe demokratik të Kosovës, kryeministrin më të suksesshëm të republikës, Albin Kurti”, ka thënë Konjufca.

Gjatë fjalës së tij, Konjufca ka akuzuar partitë deri tash në opozitë se duan ta bllokojnë shtetin vetëm për ta dobësuar Albin Kurtin.

“Verdikti i popullit në zgjedhjet e shkurtit nuk ishte të ecim vetëm, por të ecim së bashku me partnerin tonë në një koalicion demokratik. U refuzuam. Refuzimi në demokraci nuk është fundi i botës, prandaj ne u përgatitëm që pjesa tjetër e opozitës do ta bënin qeverinë. Ata refuzuan ta bëjnë edhe qeverinë. LVV-në nuk e lanë, vetë nuk deshën ta bëjnë, prandaj qytetarët me të drejtë pyesin se çka duan ata me të vërtetë. Ata duan të bllokojnë gjithçka që më pas bllokimi i shtetit të duket si dobësim i LVV-së. Kjo është agjendë tejet e dëmshme dhe antishtetërore. Për këtë qëllim ata kanë treguar se janë në gjendje të shkojnë deri në humnerë. Ta sakrifikosh shtetin që Albin Kurti të dalë keq. Përmes kësaj maskarade po mendojnë se e rrisin mbështetjen në popull”, është shprehur ai.

Pas nominimit nga partia e tij si kandidat për kryeministër, Albin Kurti tha se nuk është faji i tij që vendi duhet të shkoj edhe në këto zgjedhje. Sipas tij, partitë e tjera refuzuan bashkëpunimin me të jo pse nuk kishte oferta për ta por sepse siç tha – nuk bën qeveri me marrëveshje për të ndarë bordet.


“Kjo nuk është situatë që ne e duam e as që e kemi menduar. Krizën legale duan ta kthejnë në krizë sociale. Të mbesin qytetarët pa paga, pa rritje të shtesave. Sepse krizë ekonomike në vendin tonë nuk ka. Kemi bllokadë procedurale nga opozita. Na akuzojnë se të tjerët na paskan bërë qeveri me 20% dhe unë pajtohem sepse kanë bërë e zgjedhur kryeministra edhe me 7%. Por, ne refuzojmë të jemi qeveri pazaresh. Me mua nuk mund të bësh marrëveshje ku përfshihet ndarja e bordeve në ndërmarrje publike. Me mua nuk mund të bëjnë marrëveshje për terminale doganore e as për pozita ambasadorësh. Po që se i shohim ato marrëveshje, ato janë edhe të paligjshme”, deklaroi Kurti.

Tutje Kurti tha se gjatë qeverisjes së tij kishte shumë kriza të cilat përfshinë mbarë globin, por përveç tyre Kosova u përball edhe me krizën në veri të shkaktuar nga aparati shtetëror i Vuçiqit.

“Për të mos mjaftuar këto krizat që botën e përfshijnë një herë në 100 vjet dhe kjo energjetike që i ndodhë një herë në 50 vjet, e kishim edhe krizën që u shkaktua në veriun e vendit tonë, ku komplet aparati shtetëror i Vuçiqit u angazhua për ta luftuar shtetin e posaqërisht qeverinë tonë sepse shtet ka pasur edhe më herët por qeveritë e tjera nuk konfrontonin Serbinë. Ato preferonin pazare e kumari të ndryshme”, deklaroi Kurti i cili tha se kjo iu kushtoi me kritika e jetë njerëzisht duke iu referuar rreshterit Afrim Bunjaku, i cili u vra në sulmin e Banjskës.


Kurti ka folur edhe për punët gjatë qeverisjes së tij dhe ato që pritet t'i kenë në fokus./KohaDitore