
Zemra në rrezik! Gabimet që bëjmë në verë dhe na kushtojnë jetën!
Dritare.net

Mjekja kardiologe Engjëllushe Hasani, e ftuar në një intervistë për Dritare TV, foli për ndikimin që kanë temperaturat e larta në shëndetin kardiovaskular, veçanërisht tek pacientët me probleme zemre. Ajo theksoi se një ndër faktorët kryesorë që përkeqëson gjendjen e këtyre pacientëve në ditët me vapë ekstreme është dehidratimi.
Sipas saj, hidrimi i mjaftueshëm është thelbësor, pasi trupi i njeriut përbëhet rreth 60% nga uji dhe mungesa e tij e përkeqëson përballjen me të nxehtin. Ajo rekomandoi që gratë të konsumojnë rreth 2 litra ujë në ditë dhe burrat rreth 3 litra, duke theksuar se uji duhet të jetë i freskët, jo i ftohtë.
Por mjekja paralajmëroi se kjo sasi ujë nuk vlen për të gjithë. Pacientët me insuficiencë kardiake të avancuar (klasa 3 dhe 4) duhet të këshillohen me mjekun kardiolog për të përcaktuar sasinë e lejuar të lëngjeve.
Engjëllushe Hasani theksoi se personat me sëmundje kronike, si diabeti, astma bronkiale, obeziteti, anemia, çrregullimet e tiroides dhe mungesa e vitaminës D, e kanë më të vështirë të përballojnë të nxehtin. Tek këta, simptomat si lodhja, takikardia, rrahjet e çrregullta të zemrës dhe dobësia janë shenja që kërkojnë ndërhyrje mjekësore.
Ajo u ndal edhe tek stresi, ankthi dhe depresioni, të cilat shtohen gjatë valëve të të nxehtit për shkak të mungesës së gjumit e ndryshimeve hormonale. Sipas saj, këto janë faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e zemrës dhe mund të çojnë deri në infarkt miokardi.
Për personat me rrezik të lartë kardiovaskular, mjekja këshilloi të mos dalin gjatë ditës dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta. Nëse dalin, të zgjedhin vetëm orët e para të mëngjesit ose të mbrëmjes. Po ashtu, konsumi i pijeve energjike dhe kafesë nuk rekomandohet, pasi përkeqësojnë dehidratimin dhe rrisin rrahjet e zemrës.
Në fund, ajo nënvizoi se çdo ndryshim në terapi për pacientët me hipertension duhet bërë vetëm me këshillim të mjekut, sepse jo të gjithë e përjetojnë njësoj efektin e të nxehtit mbi tensionin e gjakut. Uji dhe kujdesi mjekësor i personalizuar janë mbrojtja më e mirë për zemrën gjatë temperaturave ekstreme./E.P-dritare.net

















