Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zelensky: Putini nuk mund të jetojë pa luftë!

Zelensky: Putini nuk mund të jetojë pa luftë!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Vladimir Putin, nuk mund të heqë dorë nga lufta dhe paralajmëroi se konflikti mund të rikthehet ose të zgjerohet në të ardhmen.

Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Zelensky tha se Putini “nuk mund ta braktisë idenë e luftës” dhe se, nëse do të qëndrojë edhe vite në pushtet, rreziku i përshkallëzimit mbetet i lartë.

“Kjo është arsyeja pse na duhen garanci të vërteta sigurie para përfundimit të luftës,” u shpreh ai, duke shtuar se shpreson që presidenti amerikan Donald Trump dhe Kongresi i SHBA-së ta dëgjojnë këtë kërkesë.

Në komentet e tij kritike ndaj liderit rus, Zelensky tha se Putin është i shkëputur nga realiteti dhe nuk interesohet për jetën e përditshme të njerëzve, duke shtuar se ai frymëzohet më shumë nga figurat historike të perandorisë ruse, si Car Pjetri i Madh dhe Perandoresha Katerina.

Fjalimi i Zelenskyt u mbajt ndërsa në sfond shfaqeshin pamje të sulmeve me raketa ruse ndaj qyteteve ukrainase.

Presidenti ukrainas bëri të ditur gjithashtu se kishte zhvilluar bisedime me presidentin francez Emmanuel Macron dhe me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për masa të reja kundër flotës së tankerëve të naftës që Rusia përdor për të shmangur sanksionet, një burim i rëndësishëm të ardhurash për Kremlinin./ CNN