Britania e Madhe kthehet në shtëpi, në Europë!
Dritare.net

Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se Britania është e gatshme për një afrim të madh ekonomik me Bashkimin Europian, duke theksuar se integrimi më i thellë është në interes të të dyja palëve, gjashtë vjet pas daljes së vendit nga BE.
Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Starmer tha se Londra është e hapur të shqyrtojë sektorët ku mund të afrohet më shumë me tregun e përbashkët europian dhe të thellojë bashkëpunimin ekonomik.
“Nuk ka siguri britanike pa Europën dhe nuk ka siguri europiane pa Britaninë,” u shpreh ai, duke shtuar se vendi nuk është më në periudhën e viteve të Brexit-it dhe se është koha për një qasje të re në marrëdhëniet me BE-në.
Në të njëjtën kohë, Starmer bëri thirrje për forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe për një bashkëpunim më të madh në mbrojtje mes vendeve europiane, në mënyrë që NATO të mos mbështetet vetëm te Shtetet e Bashkuara.
Ai theksoi se Europa duhet të jetë më e përgatitur për të parandaluar agresionin dhe, nëse është e nevojshme, për të reaguar ushtarakisht, duke shtuar se fragmentimi në industrinë e mbrojtjes e ka lënë kontinentin një “gjigant të fjetur”.
Starmer njoftoi gjithashtu se Britania do të dislokojë këtë vit një grup luftarak detar në Atlantikun e Veriut dhe në Arktik, në bashkëpunim me SHBA-në, Kanadanë dhe aleatë të tjerë të NATO-s, si pjesë e angazhimit për sigurinë euro-atlantike./dritare.net