Na ndiqni edhe në

Bota

Uashingtoni shton presionin ndaj Iranit. Aeroplanmbajtësja e dytë drejt Lindjes së Mesme

Uashingtoni shton presionin ndaj Iranit. Aeroplanmbajtësja e dytë

Pentagoni po dërgon një grup të dytë aeroplanmbajtësesh në Lindjen e Mesme, anijen luftarake USS Gerald R. Ford, sipas një zyrtari të lartë amerikan dhe burimeve të afërta me çështjen. Lëvizja synon të rrisë presionin ndaj Iranit, edhe pse presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se negociatat me Teheranin do të vazhdojnë. Trump u tha gazetarëve se po dërgon aeroplanmbajtësen e dytë në rast se nuk arrihet marrëveshje diplomatike. “Nëse nuk bëjmë marrëveshje, do të na duhet,” tha ai, duke shtuar se anijet mund të tërhiqen nëse diplomacia funksionon.


Grupi luftarak USS Gerald R. Ford, i konsideruar ndër më të avancuarit në botë, ishte vendosur prej muajsh në Karaibe dhe tani do t’i bashkohet aeroplanmbajtëset USS Abraham Lincoln në rajonin e Lindjes së Mesme. Kjo rrit ndjeshëm praninë ushtarake amerikane dhe opsionet e Uashingtonit për një goditje të mundshme ndaj Iranit.

Ky zhvillim vjen ndërsa Trump ka theksuar se dëshiron të vazhdojë përpjekjet për një marrëveshje me Iranin. Ai ka paralajmëruar se nëse nuk arrihet një akord, pasojat mund të jenë të rënda, duke shprehur gjithashtu shpresën për një marrëveshje brenda muajit të ardhshëm.

Megjithatë, presidenti amerikan nuk ka përjashtuar mundësinë e sulmeve të reja dhe ka urdhëruar përforcimin e forcave ushtarake në rajon, duke përfshirë anije luftarake dhe sisteme mbrojtjeje që do të mundësonin një fushatë ajrore kundër objekteve bërthamore dhe raketore iraniane.

Ndërkohë, delegacione nga SHBA dhe Irani janë takuar së fundmi në Oman për raundin e parë të bisedimeve pas tensioneve të vitit të kaluar, duke mbajtur të hapur mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike pavarësisht rritjes së presionit ushtarak./K.C/dritare.net