U drogua për vite dhe u abuzua nga dhjetëra burra/ Gisèle Pelicot: E shkatërruar nga tmerri, por nuk ndiej zemërim
Dritare.net

Gisèle Pelicot, gruaja në qendër të një prej gjyqeve më të mëdha për përdhunim në Francë, tregoi në një intervistë për BBC Newsnight se u ndje “e shtypur nga tmerri” kur zbuloi se për vite me radhë bashkëshorti i saj, Dominique Pelicot, e kishte droguar pa dijeninë e saj dhe kishte ftuar dhjetëra burra ta përdhunonin ndërsa ajo ishte pa ndjenja.
Ajo e përshkruan momentin kur policia i tregoi fotografitë dhe videot si një “cunam emocional” dhe fillimin e asaj që e quan “zbritje në ferr”. Fillimisht nuk e njohu veten në pamje dhe nuk mund ta besonte se njeriu me të cilin kishte jetuar për dekada mund të kishte kryer krime kaq të rënda.
Një nga momentet më të dhimbshme për të ishte t’u tregonte tre fëmijëve të rritur për atë që kishte bërë babai i tyre. Reagimet e tyre ishin tronditëse: shok, dhimbje dhe nevoja për të fshirë çdo kujtim që lidhej me të. Familja u përball me pasoja të forta psikologjike dhe, sipas saj, u desh shumë kohë për të filluar të rindërtonin jetën.
Për vite para zbulimit, ajo kishte probleme shëndetësore si humbje kujtese dhe shqetësime fizike, që më vonë rezultuan të lidhura me drogat që i jepte burri dhe abuzimet e vazhdueshme. Ai madje i jepte edhe relaksues muskujsh që ajo të mos ndiente dhimbje pas sulmeve.
Edhe pse ish-bashkëshorti është dënuar me 20 vite burg, shumë prej burrave që morën pjesë nuk u identifikuan. Skandali ka lënë pasoja të thella edhe tek vajza e saj, pasi u gjetën foto të saj në kompjuterin e babait; ajo dyshon se mund të ketë qenë gjithashtu viktimë, por mungesa e provave ka penguar ndjekjen penale.
Sot, Gisèle Pelicot thotë se ende ka pyetje pa përgjigje për ish-burrin dhe se, megjithëse trauma mbetet, përpiqet të vazhdojë jetën duke u mbështetur tek fëmijët dhe forca personale./K.C/dritare.net