
Vasil Llajo: Nëse nuk futemi ne intelektualët në politikë, do na komandojnë injorantët!
Dritare.net
Mjeku i njohur Vasil Llajo ka vendosur të angazhohet politikisht, duke u përfshirë në garën zgjedhore të 11 majit si kandidat në listën e hapur të Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës. I ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, zoti Llajo tregon se përse u fut në politikë dhe përse kandidon në listat e hapura.
"Unë nuk kam asnjë siklet që jam në gare me Vangjel Dulen. Sepse Dulen e kam shumë mik, e kam takuar dhe do vazhdoj ta takoj. Pozicionin tim nuk e shoh si një kundërpeshë e Vangjel Dules, nuk e shoh si duel. Ekzistonte mundësia që edhe unë të isha në listat e mbyllura. Por filozofia ime e jetës është të luftoj sepse atë që ta falin shumë shpejt do ta humbasësh. Nëse unë do të isha në listat e mbyllura, do të kisha humbur identitetin tim si mjek. Unë nuk jam deputet, unë jam mjek. Do ta bëj përpjekjen time maksimalisht për qytetin tim. Mua nuk më shkonte mendja t’i hyja politikës. Por kur fillova të ndiej mallin për qytetin tim, nisa të shkoj më shpesh. Kjo është edhe arsyeja pse hapa në 2015-ën një Poliklinike Intermedica në Sarandë, që mos vete vetëm të pi kafe, të shoh detin, por edhe të punoj dhe të ndihmoj njerëzit e mi.
Për çfarë po i hyj politikës?
E para nuk e shoh Parlamentin si karrierë akademike. Unë e kam bërë akademinë time me vite të tëra dhe nuk kam nevojë të shkruaj në CV futjen në Parlament. Nuk e kam për biznes që të përfitoj ekonomikisht. Këto për mua janë të shteruara. Unë po futem në Parlament, sepse erdhi momenti që të kontribuojmë.
Një filozof thotë nëse intelektualët nuk marrin pjesë në jetën politike të një vendi, i bie që do të marrin pjesë injorantët. Dënimi më i madh që do marrin këta intelektualë do të jetë komandimi nga injorantët.”, thotë Dr.Vasil Llajo në DritareTV./K.C/dritare.net

















