
Klodian Allajbeu para gjykatësve në Prishtinë. Akuzat e plota
Dritare.net
Klodian Allajbeu dhe katër të tjerë kanë dale para Gjykatës Themelore në Prishtinë, të akuzuar për pastrim parash përmes falsifikimit të dokumenteve.
Ekrem Lluka, pronar i “Qendrës Kardiake të Kosovës” bashkë me Korab Llukën, Klodian Allajbeu aksionar dhe përfaqësues ligjor i “American Hospital Kosova” me Igli Larashin, drejtor ekzekutiv në atë Spital, si dhe pronarja e “Medbrand KS”, Edlira Malaj po akuzohen se kanë pastruar para përmes një skeme të falsifikimit të dokumenteve dhe prezantimit të dokumenteve false në Administratën Tatimore të Kosovës.
Gjithë këto veprime, pesë të akuzuarit ngarkohen se i kanë bërë kur e kanë kuptuar se po hetohen nga ATK dhe Prokuroria Speciale, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Deklarimin rreth fajësisë, pesë të akuzuarit e bënë pasi aktakuza u konsiderua e lexuar.
Pas deklarimit të të akuzuarve, mbrojtësi i të akuzuarit Ekrem Lluka, avokati Dastid Pallaska kërkoi që të mbahet shqyrtimi i dytë për kundërshtim të provave dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës.
Për këtë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili tha se me ndryshimet e reja ligjore të Kodit të Proceudrës Penale, nuk parashihet mbajtja e kësaj seance.
Paraprakisht, e akuzuara Edlira Malaj tha se nuk e ka të qartë aktakuzën dhe veprat penale për të cilat po akuzohet. Për këtë, dha sqarime prokurori special Dren Paca.
“Në rastin konkret keni përdorur dokumente të falsifikuara- kontratë për shitblerje të pajisjeve ku “Mebrand KS” s’ka qenë i regjistruar fare e që si rrjedhojë ju s’keni mujt me nënshkru kontratë sepse s’keni qenë si subjekt i regjistruar, e që si rrjedhojë janë shkëmbyer para nga ky aktivitet kriminal”, tha prokurori.
Prokurori Paca i sqaroi tutje Malajt se me paratë që i ka pranuar dhe transferuar në Shqipëri dhe Austri, ka konsumuar veprën penal “Shpëlarje parash”.
“Sinqerisht nuk po e kuptoj”, tha Malaj.
Por, pas konsultimit me mbrojtësin e saj, avokatin Shpend Lushaku, e akuzuara Malaj tha se e kupton për çka po akuzohet, por që ndihet e pafajshme.
Pas deklarimit rreth fajësisë, gjykatësi Ismaili tha se kanë të drejtë që në afat prej 30 ditësh të bëjnë kërkesë për kundërshtim të provave dhe rrëzim të aktakuzës.
Seanca e 13 marsit 2025 ishte ndërprerë për shkak se mbrojtja e të akuzuarve nuk ishte pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.
Në aktakuzën fillestare të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi“, janë dhënë detaje se si këta pesë persona kishin prezantuar fatura dhe dokumente me subjekte që nuk ishin të regjistruara, me qëllim që të legjitimonin transaksionet bankare dhe të përfitonin mbi 3 milionë euro.
Edlira Malaj ngarkohet se ka falsifikuar dokumentin pasi si pronare e “Medbrand KS” kishe përdorur dokumente të falsifikuara dhe i kishte dërguar në Administratën Tatimore të Kosovës.
Sipas Prokurorisë, Malaj kishte përdorur dokumentin e falsifikuar- kontratën për shitblerje në mes të “Medbrand KS” dhe “American Hospital Kosova” e lidhur më 23.10.2014, ani pse “Medbrand KS” nuk kishte qenë si subjekt i regjistruar në atë kohë kur thuhet se është arritur marrëveshja.
Klodian Allajbeu aksionar në “American Hospital Kosova” dhe drejtori i këtij spitali, Igli Larashi akuzohen për falsifikim të dokumenteve pasi kishin përdorur dokumente të falsifikuara për shit-blerjen në vlerë prej 4, 703, 999, 98 (4.7 milionë euro) të datës 23.10.2014 në mes të shitësit “Medbrand Ks” dhe blerësit “American Hospital Kosova” dhe të njëjtat dokument ia kishin prezantuar Administratës Tatimore të Kosovës. Në kohën kur është nënshkruar marrëveshje për shit-blerje, sipas aktakuzës, “Medbrand KS” nuk ishte si subjekt i regjistruar.
Pika tjetër e aktakuzës i ngarkon Edlira Malajn, Igli Larashin dhe Korab Llukën i cili ishte përfaqësues i “Qendrës Kardiake të Kosovës” se kanë nënshkruar dokumente të falsifikuara dhe me përmbajtje të rreme. Ata ngarkohen se nënshkruan në mars të vitit 2021 “Kontratë për cedimin e llogarive të arkëtueshme” të datës 23.12.2020 dhe e përdorën duke ia dorëzuar ATK-së, me qëllim të vënies në lajthim se kinse kishin nënshkruar para se ATK kishte filluar procedurat hetimore ndaj tyre.
Sipas aktakuzës, Malaj, Larashi dhe Lluka kishin kryer këtë veprim me qëllim të legjitimimit të mosdeklarimit të pagesës prej 1.572.842.000 (1.5 milionë) euro nga ana e “American Hospital Kosova” dhe “Qendrës Kardiake të Kosovës”.
Veç kësaj, pika tjetër e aktakuzës e ngarkon Klodian Allajbeun, Edlira Malajn dhe Korab Llukën për nënshkrimin e dokumentit të falsifikuar dhe të rremë si “Aneks kontratë për cedimin e llogarive të arkëtueshme” të datës 22.03.2021 me qëllim të legjitimimit të mosdeklarimit të faturës mes “American Hospital Kosova” dhe “Qendrës Kardiake të Kosovës” në vlerë prej 1.572.842.000 (1.5 milionë) euro.
Pika tjetër e aktakuzës e ngarkon Edlira Malajn dhe Ekrem Llukën si pronar i “Qendrës Kardiake të Kosovës” se në bashkërkeyrje kanë nënshkruar dokument të falsifikuar dhe të rremë dhe të njëjtin ia kanë paraqitur AKT-së me qëllim që ta vëjnë në lajthim ATK-në se kinse shitblerjen e pajisjesve nga “Qendra Kardiake e Kosovës” te “Medbrans Ks”.
Pika tjetër e aktakuzës e ngarkon sërish Edlira Malajn bashkë me Korab Llukën për nënshkrim të dokumenteve të flasifikuara dhe të rreme me qëlllim që ta vëjnë në lajthim ATK-në me qëllim për të justifikuar mosdeklarimin e faturës në vlerë prej 1.572.842.000 (1.5 milionë) euro.
Klodian Allajbeu akuzohet se kishte përdorur tri dokumente të falsifikuara dhe i kishte dërguar në Policinë e Kosovës me qëllim të vënies në lajthim të Policisë dhe Prokurorisë për blerje të pajisjeve nga “Medbrand KS” ne vlerë prej 4.703.999.98 euro, ishte marrë nga Bordi i “American Hospital Kosova” më 20 tetor 2014, edhe pse ishte në dijeni se me këtë datë “Medbrand KS” nuk ekzistonte si subjekt i regjistruar.
Pika tjetër i ngarkon sërish Edlira Malajn, Klodian Allajbeun dhe Igli Larashin, Ekrem Llukën dhe Korab Llukën se duke përdorë dokumente të falsifikuara arrijnë të realizojnë para të paligjshme në vlerë prej 3.482.000.00 euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pesë të akuzuarit, duke përdorur dokumente të falsifikuara arrijnë të maskojnë, të fshehin natyrën e burimit të vërtetë, t’i konvertojnë dhe transferojnë nga një llogari e biznesit në llogarinë e biznesit tjetër, në llogari personale brenda dhe jashtë Kosovës, për t’i marrë më vonë në posedim dhe shfrytëzim si para të ligjshme.
“Ashtu që e pandehura Edlira Malaj pasi themelon subjektin “Medbrand KS”, më 05.11.2014 se bashku me të pandehurin Klodian Allajbeu dhe Ekrem Llukën përpilojnë dokumentin e falsifikuar “Kontratë për shitblerje” datë 30.05.2014 sipas të cilit subjekti juridik “Medbrand KS” kinse dhe me qëllim të ekzekutojnë kontratën e lartëcekur gjatë vitit 2015 lëshojnë në qarkullim edhe dy fatura të falsifikuara të datës 24.07.2015 në vlerë 1.572.842.00 euro të lëshuar nga “Qendra Kardiake e Kosovës për “Medbrand Ks” dhe faturën e datës 27.07.2015 në vlerë prej 4.709.999.98 euro, të lëshaur nga “MEdbrand Ks” për American Hospital Kosova”, thuhet më tej në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, Malaj kishte përfituar shumën prej 3.131.158.00, ku pjesën më të madhe të këtyre mjeteve i transferon dhe i tërheq në Republikën e Shqipërisë si dividentë. Një pjesë të këtyre mjeteve i kishte transferuar në Austri në llogari të saj dhe të djalit të saj Rigers Malaj.
Kështu, aktakuza i ngarkon për shpëlarje të parave Klodian Allajbeun, Ekrem Llukën, Korab Llukën, Igli Larashin dhe Edlira Malajn.
“Nga data 10.08.2015 në vazhdimësi deri në vitin 2023, subjektet juridike të pandehura 1. “Medbrand KS” Sh.p.k me person përgjegjës njëherit pronare Edlira Malaj, 2. “American Hospital Kosova” Sh.p.k me persona përgjegjës njëherit aksionar dhe përfaqësues ligjor Klodian Allajbeu dhe drejtor ekzekutiv Igli Larashi, 3. “Qendra Kardiale e Kosovës” Sh.p.k me persona përgjegjës njëherit pronar dhe përfaqësues ligjor Ekrem Lluka dhe Korab Lluka, duke përdorur dokumente të falsifikuara të përshkruara si në dispozitivin “I deri VII”, arrijnë të realizojnë të hyra ose para të paligjshme në vlerë 3,482,000.00 Euro, të cilat para pastaj me qëllim që të duken si të ligjshme, duke i përdorur dokumente të njëjta, arrijnë ti maskojnë dhe t’ia fshehin natyrën ose burimin e vërtetë dhe ti konvertojnë (të blejnë prona të paluajtshme), transferojnë nga një llogari e biznesit në llogarinë e biznesit tjetër, në llogari personale të pronarëve brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës dhe ti shfrytëzojnë si para të ligjshme”, thuhet më tej në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, ata në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Shpëlarje e parave”, e përcaktuar në nenin 308 lidhur me nenin 40 dhe 81 të KPRK-së nr. 04/L-082 dhe lidhur me nenin 56 par.1 nën par.1.6 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit./TCH

















