Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama në Kongresin Botëror të Ligjit: Nuk do të lejojmë të cenohet drejtësia e re

Rama në Kongresin Botëror të Ligjit: Nuk do të lejojmë

Kryeministri Edi Rama deklaroi se mazhoranca socialiste mbetet më e vendosur se kurrë për të mbrojtur dhe garantuar vazhdimësinë e reformës në drejtësi dhe të sistemit të ri gjyqësor në Shqipëri.

Në fjalën e mbajtur gjatë sesionit të hapjes së Kongresi Botëror i Ligjit në Tiranë, Rama theksoi se vendi ynë duhet të përfitojë maksimalisht nga prania e qindra ekspertëve dhe personaliteteve të njohura të drejtësisë ndërkombëtare, vitin e ardhshëm.

“Jam i vendosur më shumë se asnjëherë, së bashku me shumicën qeverisëse, të mos lejojmë të cenohet ajo që është projektuar dhe të mos lejojmë të rrënohet ajo që është ndërtuar në paketën e një sistemi të ri dhe të pavarur drejtësie”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se organizimi i Kongresit Botëror të Ligjit në Shqipëri përfaqëson një moment historik për vendin dhe një mundësi për të forcuar më tej standardet e shtetit të së drejtës.

Sipas tij, pak vite më parë askush nuk do ta kishte imagjinuar që Tirana do të zgjidhej për të mirëpritur një aktivitet të tillë ndërkombëtar. Rama tha se përzgjedhja e Shqipërisë nuk lidhet me pozicionin gjeografik apo klimën, por me progresin e bërë në dekadën e fundit në kuadër të reformës në drejtësi.

Ai kujtoi gjithashtu procesin e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët, duke theksuar se reforma u mbështet fuqishëm nga qytetarët shqiptarë.

Kongresi Botëror i Ligjit pritet të mbledhë në Shqipëri vitin e ardhshëm figura të rëndësishme të drejtësisë dhe institucioneve ligjore nga e gjithë bota./L.F-dritare.net