Koncerti i Kanye West në Tiranë. Shitje rekord biletash, publikohen çmimet
Dritare.net

Brenda vetëm dy orësh nga hapja e shitjes së parë, janë shitur mbi 10 mijë bileta për koncertin e shumëpritur të Kanye West në Tiranë, i cili pritet të mbahet në muajin korrik. Ky interes i menjëhershëm tregon kërkesën e lartë të publikut, me mijëra fansa që kanë siguruar vendin e tyre brenda pak minutash.
Organizatorët bëjnë të ditur se kërkesa ka tejkaluar pritshmëritë fillestare, duke e kthyer këtë event në një nga koncertet më të mëdha që është organizuar ndonjëherë në Shqipëri. Sipas tyre, fluksi i madh i blerjeve që në fazën e parë është një tregues i qartë i pritjes së jashtëzakonshme për performancën e artistit ndërkombëtar.
Shitja e përgjithshme për publikun nis zyrtarisht të mërkurën në orën 12:00 dhe pritet të ketë edhe më shumë interes në këtë fazë, duke marrë parasysh ritmin e shpejtë të shitjeve fillestare. Organizatorët u bëjnë thirrje të interesuarve të jenë të gatshëm në kohë, pasi biletat mund të mbarojnë shumë shpejt.
Sa i përket çmimeve, ato fillojnë nga 261 euro, ndërsa për vendet VIP arrijnë deri në 339 euro. Koncerti pritet të tërheqë jo vetëm publikun vendas, por edhe fansa nga rajoni dhe më gjerë, duke e kthyer Tiranën në një pikë të rëndësishme të hartës muzikore këtë verë./K.C/dritare.net
