Aksidenti i dy të miturve/ Banorët e Durrësit në protestë: Kërkojmë siguri dhe zbatim të ligjit
Dritare.net

Dhjetëra qytetarë marshuan pasditen e sotme në rrugët e Durrësit, pas aksidentit tragjik që i mori jetën dy fëmijëve dhe la të plagosur rëndë një tjetër të mitur. Protesta nisi nga Spitalla, vendi i ngjarjes, dhe vijoi me ndalesa pranë Drejtorisë së Policisë dhe Bashkisë së Durrësit. Qytetarët, me pankarta dhe foto të viktimave në duar, kërkuan masa më të forta sigurie në rrugë, kontrolle më të rrepta policore dhe përgjegjësi institucionale për parandalimin e ngjarjeve të tilla.
Në fund të marshimit u ndezën qirinj dhe u lëshuan balona të bardha në kujtim të dy fëmijëve që humbën jetën.
Sipas hetimeve paraprake, drejtuesi i automjetit dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit, ndërsa banorët pretendojnë se ai ishte denoncuar më herët për sjellje të rrezikshme në rrugë.
Protestuesit kërkuan drejtësi dhe më shumë përgjegjësi nga institucionet dhe drejtuesit e mjeteve për sigurinë në rrugë.
“Kombi shqiptar e ka vlerësuar këtë tragjedi, por duhet ta vlerësojë shteti. Duke i mbrojtur ata keqbërësit pijaneca, detyrimisht ka faj edhe shteti për ligjet që nuk i kanë vendosur si duhet. Bëjnë ligje vetëm për të mbrojtur pushtetin e tyre. I bëj thirrje Kryeministrit të zbatojë ato pak ligje që ka dhe t’i zbatojë në shërbim të popullit. Edhe kryetares së bashkisë do t’i bëj një thirrje. E ka lënë zonën e këngës, ka bërë rrugë, por nuk ka bërë lulishte apo park për të luajtur fëmijët. Kalamani ngelet kalama, do dalë në rrugë, nga shtëpia. Ka vetëm një park te lagjja 18, por ajo nuk është aq e mjaftueshme për t’i përballuar. Duhen vende për të luajtur.
Policia mos t’i shohë ata, i marrin i fusin brenda dhe pastaj i lëshojnë për dy ditë. Këta marrin ryshfete. Po ta kishte mbajtur policia këtë që ka bërë këtë tragjedi, nuk ishte bërë kjo tragjedi. Edhe populli dhe banorët kanë bërë disa herë kërkesa në polici. Ai e ka quajtur veten si “Bisha e rrugës”. Shteti është fajtor për këtë. Policia duhet të sensibilizohet. Që të punojë, deri te ankesat që t’i shohë dhe t’i zbatojë. Gjykata, prokuroria duhet t’i shohin mirë gjërat. Kjo ishte kërkesa ime, e banorëve dhe familjarëve”, u shpreh një protestuesit për Top Channel./K.C/dritare.net