Na ndiqni edhe në

Bota

Shefi i Ushtrisë Amerikane: Irani goditi 10 herë forcat e SHBA-së pas armëpushimit

Shefi i Ushtrisë Amerikane: Irani goditi 10 herë forcat e

Irani ka sulmuar forcat amerikane më shumë se 10 herë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, por këto veprime mbeten “nën pragun” për rifillimin e operacioneve të mëdha luftarake. Kështu deklaroi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Dan Caine.

Sipas tij, që prej shpalljes së armëpushimit, Irani ka qëlluar nëntë herë ndaj anijeve tregtare dhe ka sekuestruar dy anije kontejnerësh, ndërsa sulmet ndaj forcave amerikane kanë kaluar shifrën 10.

“Megjithatë, të gjitha këto mbeten nën pragun për të rifilluar operacione të mëdha luftarake në këtë moment,” tha Caine, duke shtuar se vendimi për një përshkallëzim të tillë është politik dhe merret në nivele më të larta.

Ai e përshkroi situatën aktuale si “zjarr shqetësues të nivelit të ulët”, duke shtuar se veprimet e Iranit duken si përpjekje të dëshpëruara për të ushtruar presion.

Armëpushimi duket i brishtë, sidomos pas deklaratave të admiralit Brad Cooper, komandant i Komandës Qendrore të SHBA-së, i cili bëri të ditur se forcat amerikane kanë shkatërruar gjashtë mjete të vogla detare iraniane në Ngushtica e Hormuzit.

Cooper nuk pranoi të sqarojë nëse armëpushimi ka përfunduar apo jo, por theksoi se veprimet e SHBA-së janë kryer “në përputhje me udhëzimet e presidentit”.

Zhvillimet e fundit tregojnë se situata mes SHBA-së dhe Iranit mbetet shumë e tensionuar, pavarësisht armëpushimit formal. Incidentet e përsëritura në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë, po rrisin shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak me pasoja globale.

Analistët paralajmërojnë se edhe sulmet e “nivelit të ulët” mund të çojnë në një përplasje më të madhe nëse situata del jashtë kontrollit./K.C/dritare.net