
Ukraina feston pavarësinë mes luftës: Zelensky kërkon paqen, Perëndimi premton armë
Dritare.net
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se vendi i tij do të luftojë deri në arritjen e një paqje të drejtë, në fjalimin drejtuar kombit me rastin e Ditës së Pavarësisë.
“Ne kemi nevojë për një paqe ku e ardhmja jonë të vendoset vetëm nga ne. Ukraina nuk ka fituar ende, por sigurisht nuk ka humbur,” – tha ai, duke theksuar se lufta kundër agresionit rus do të vazhdojë.
Deklaratat e Zelenskyt erdhën pas njoftimeve nga Moska se një sulm me dronë kishte shkaktuar zjarr në një central bërthamor në Kursk, pa shkaktuar viktima. IAEA konfirmoi se nivelet e rrezatimit ishin normale, por përsëriti thirrjen për kujdes maksimal rreth objekteve bërthamore.
Në qendër të Kievit u zhvilluan ceremonitë për festën kombëtare, ku Zelensky u shoqërua nga kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, i cili premtoi mbi 1 miliard dollarë kanadezë në ndihmë ushtarake, përfshirë dronë, municione dhe mjete të blinduara.
Po ashtu, ai nënvizoi: “Kanadaja do të qëndrojë gjithmonë krah për krah me Ukrainën.”
I pranishëm ishte edhe emisari amerikan Keith Kellogg, i dekoruar nga Zelensky me “Urdhrin e Meritës”, ndërsa mbështetje simbolike erdhi edhe nga Mbretërit Charles me një letër urimi. Britania njoftoi se do të zgjasë deri në fund të vitit 2026 stërvitjen e ushtarëve ukrainas në kuadër të operacionit “Interflex”.
Mbështetje shtesë erdhi edhe nga Norvegjia dhe Gjermania, të cilat do të financojnë dy sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore, ndërsa Suedia dhe Ukraina nënshkruan marrëveshje për prodhim të përbashkët ushtarak.
Nga ana tjetër, Rusia raportoi se ka marrë nën kontroll dy fshatra në rajonin e Donetskut, duke vijuar avancimin e ngadaltë por të kushtueshëm në lindje të Ukrainës. Aktualisht, Moska kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas.
Ndërkohë, diplomacia ndërkombëtare mbetet në ngërç. Takimi i 15 gushtit mes presidentëve Trump dhe Putin nuk solli progres për një marrëveshje paqeje, ndërsa Trump paralajmëroi vendime të reja mes sanksioneve të forta ose tërheqjes nga negociatat.
Zelensky akuzoi Rusinë se po pengon çdo përpjekje për dialog të drejtpërdrejtë, ndërsa ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u përgjigj se një samit mund të mbahet vetëm kur “agjenda të jetë gati – gjë që sot nuk ekziston”./L.F-dritare.net

















