
Trump kërcënon me padi Wall Street Journal për kartolinën “provokuese” dërguar Epstein
Dritare.net
Donald Trump ka kërcënuar se do të padisë The Wall Street Journal (WSJ) pasi gazeta publikoi një histori ku pretendohet se emri i tij shfaqet në një kartolinë ditëlindjeje "provokuese" të vitit 2003, drejtuar Jeffrey Epstein.
Sipas raportimit të WSJ, kartolina përmbante disa rreshta të shtypur, të rrethuar nga vizatimi i një gruaje nudo, i dukshëm si i bërë me marker të trashë dhe dorë e lirë.
Trump reagoi menjëherë në rrjetin e tij social, Truth Social, duke e quajtur kartolinën një “FAKE” (e rreme) dhe shtoi:
“Këto nuk janë fjalët e mia, as mënyra se si flas. Gjithashtu, unë nuk vizatoj figura.”
Ai e quajti shkrimin “të rremë, keqdashës dhe shpifës”, dhe paralajmëroi një padi ndaj WSJ.
Por, Trump ka një histori me vizatime
Pavarësisht mohimit, ekzistojnë dokumentime publike që Trump ka bërë vizatime në të kaluarën. Në librin e tij të vitit 2008 Never Give Up, ai shkruante:
“Më duhen vetëm pak minuta për të vizatuar diçka – zakonisht një ndërtesë ose pamje me grataçela – dhe pastaj firmos emrin tim. Por kjo ndihmon për të mbledhur mijëra dollarë për të ushqyer të uriturit në New York përmes Ministrisë Capuchin Food Pantries.”
Madje, disa nga vizatimet e tij janë shitur në ankande gjatë dekadës së fundit, duke arritur çmime mijëra dollarëshe.
Kush ishte Jeffrey Epstein dhe si përfundoi në qendër të një skandali ndërkombëtar
Përpara se të bëhej figura qendrore në një nga rastet më të mëdha të trafikimit seksual në SHBA, Jeffrey Epstein ishte një mësues matematike dhe më pas financier i fuqishëm në Nju Jork.
Në vitet 1980, ai ndërtoi një rrjet shoqëror me të pasurit dhe të famshmit, duke përdorur avionë privatë dhe festa luksoze për të rritur ndikimin e tij. Klientët e tij i besonin qindra miliona dollarë për menaxhim.
Ai shoqërohej me figura të njohura si:
Donald Trump
Ish-presidenti Bill Clinton
Princi Andrew i Britanisë
“E njoh Jeff-in prej 15 vitesh. Djali është i mrekullueshëm,” – kishte deklaruar Trump për New York Magazine në vitin 2002.
Nga hetimi në 2005, deri te vdekja misterioze në burg
Në 2005, prindërit e një vajze 14-vjeçare raportuan se Epstein e kishte ngacmuar seksualisht vajzën e tyre në shtëpinë e tij në Palm Beach. Në vend që të përballej me akuza federale, ai u dënua vetëm me 18 muaj burg, prej të cilëve kaloi shumicën në lehtësira të veçanta. Në 2008, ai u regjistrua si kriminel seksual i nivelit 3 në shtetin e Nju Jorkut – që nënkupton rrezik të lartë për përsëritje të veprës. Në korrik 2019, Epstein u arrestua sërish për trafikim seksual të të miturve dhe u akuzua për drejtimin e një rrjeti të gjerë të vajzave të reja për shfrytëzim seksual.
Ai u mbajt në burgun Metropolitan Correctional Center në Nju Jork, ku u gjet i vdekur në qeli disa muaj më vonë, ndërkohë që priste gjyqin. Rrethanat e vdekjes mbeten subjekt i dyshimeve dhe teorive të shumta.
Donald Trump ka deklaruar se i ka kërkuar Departamentit të Drejtësisë të publikojë dokumentet gjyqësore që lidhen me Jeffrey Epstein, kriminelin seksual që vdiq në burg në vitin 2019. Lëvizja vjen pas presionit nga mbështetësit e tij më të devotshëm, të cilët po kërkojnë transparencë më të madhe mbi rastin.
/L.F-dritare.net

















