Tha se Gilmando Dani ishte badigardi i tij në fushatë, Gonxhja përgënjeshtron Berishën: Shihemi në Gjykatë
Dritare.net

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili pretendoi se Gilmando Dani – i vrarë disa ditë më parë në një atentat pranë Aeroportit të Rinasit – kishte qenë bodyguard, financues i fushatës së tij dhe person i afërt me ish-ministrin Ervin Hoxha.
Në një postim në rrjete sociale, Gonxhja i cilësoi akuzat si “fake news”, duke nënvizuar se nuk ka pasur kurrë asnjë lloj njohjeje me Danin.

“Gënjeshtër e pastër. Saliu llomoit sot se paskam patur ‘truproje’ dikë që as e njoh dhe as e kam parë ndonjëherë – emrin e të cilit e kam dëgjuar si shumica nga kronikat”, shkruan ministri, duke shtuar se edhe pretendimet e Berishës për financim të fushatës janë të pavërteta.
Gonxhja e ironizoi Berishën edhe për një tjetër deklaratë të tij, ku ish-kryeministri ngatërroi emrin e deputetit Ervin Salianji, duke pretenduar se Dani kishte qenë “krahu i djathtë” i tij.
“Pardje ia bëri krah të djathtë Ervin Salijanjit të njëjtin subjekt… mosha, kushedi”, shkroi ministri.
Ai paralajmëroi se do t’i drejtohet gjykatës për çdo akuzë publike të hedhur nga Berisha.
“Do të provosh në gjykatë secilin element të akuzës, Sali! 81 vjeç, e s’tu zbardh dot kurrë katrani”, përfundon reagimi i Gonxhjës.
Ky debat vjen në një kohë kur atentati ndaj Gilmando Danit ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjet e sigurisë dhe përplasjet politike rreth figurave të përfshira në hetime./L.F-dritare.net