Presidenti Begaj thyen heshtjen për protestat në Tiranë
Dritare.net

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka reaguar për herë të parë lidhur me protestat që po zhvillohen në Tiranë, që nisën për projektin në Zvërnec. Gjatë ceremonisë së 100-vjetorit të krijimit të Prefekturës së Tiranës, Begaj tha se "si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave Euroatlantike të vendit".
"Ky aktivitet zhvillohet në një moment kur qytetarë po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore. Në respekt të pozicionit kushtetues, neutralitetit kushtetues, mund të theksoj se e drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin kombëtar dhe atë publik. Korniza kushtetuese, së bashku me rregullat e shtetit ligjor dhe demokracisë përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë. Si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave Euroatlantike të vendit",- tha Begaj.