Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sot zgjedhjet në PD!

Sot zgjedhjet në PD!

Zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike mbahen këtë të shtunë, një proces pa garë, ku në fletën e votimit figuron vetëm emri i Sali Berishës. Procesi zhvillohet në një klimë kritikash të forta, pas skualifikimit të 5 kandidatëve me argumentin se nuk plotësonin kriteret, mes tyre ish-deputeti Ervin Salianji.


Anëtarët e PD-së do t’i drejtohen kutive të votimit që prej orës 08:00 deri në 18:00, proces që do të zhvillohet në gati rreth 70 degë të partisë. Kupola e selisë blu deri më tani e ka mbajtur sekret numrin e anëtarëve që janë thirrur për të votuar në ‘referendum’, të dhëna të cilat nuk u zbuluan as nga Sali Berisha në konferencën e djeshme për mediat, i cili vetëm insistoi për një proces modern dhe demokratik, ndonëse është i vetëm në garë.


Berisha i cili ka qenë drejtuesi i parë i PD-së në vitin 1991 dhe e dominon partinë prej 35 vitesh, kërkon një tjetër mandat dhe shkon në këto zgjedhje pa bërë asnjë ditë fushatë dhe pa program. I vetmi premtim që Berisha u ofron demokratëve është rrëzimi i Ramës, një tezë politikë që tashmë e përdor që prej rikthimit në PD, por aksionet politike dhe protestat në terren kanë treguar se ‘kilometri i fundit’ është ende larg.

Sali Berisha nuk lejoi kandidimin e 5 demokratëve të tjerë, atë të Evi Kokalarit, Ervin Salianjit, Alesia Balliut, Mereme Selës dhe Vladimir Mulajt duke dalë i vetëm përballë demokratëve. Pjesa më e madhe e tyre i është drejtuar Gjykatës së Tiranës që t’i shpallë zgjedhjet e brendshme të PD të pavlefshme, por deri më tani ende nuk është pranuar asnjë sigurim padie që rivalët e Berishës kanë çuar në dyert e Gjykatës.