
Sot i jepet lamtumira e fundit Artur Zhejit!
Dritare.net
Sot i jepet lamtumira e fundit gazetarit dhe publicistit, Artur Zheji. Në orën 10:00-12:00 do të mbahen homazhet në Universitetin e Arteve të Bukura, ku Zheji studioi dhe u diplomua për regjisurë.
Miqtë, kolegë e bashkëpunëtorë do t’i japin lamtumirën e fundit, për t’u përcjellë në Varrezat e Tufinës.
Gazetari dhe publicisti, i dalluar për mprehtësinë e fjalës dhe thellësinë e mendimit, ndërroi jetë befasisht nga një arrest kardiak ditën e shtunë, në Sarandë, ku po festontë ditëlindjen e të birit. Ikja e tij e parakohshme, në moshën 64-vjeçare, bashkoi jo vetëm përfaqësues të medias, por edhe të politikës.
Zheji vinte nga një familje e shquar në botën e artit dhe letrave. I ati Petro Zheji, i përkiste plejadës si përkthyes e dijetar, ndërsa e ëma, Besa Imami, ishte aktore.
Artur Zheji studioi për regji, e më pas punoi si dramaturg. Në vitet e para të demokracisë punoi në median italiane, për t'u rikthyer gjatë luftës së Kosovës, me emisionin “Luftë apo Paqe”. Ka mbajtur funksione drejtuese në disa media, si tek RTSH, ATSH dhe gazeta Mapo.
Që nga viti 2017, Zheji drejtonte emisionin "360 Gradë", një tryezë debati për çështjet të vendit dhe botës. Ai spikaste në debatin publik, dhe me guxim, shkruante për shumëçka, edhe për vdekjen, “Zonjën Madhështore, të pa korruptueshmen absolute”, siç e cilësonte në një refleksion, një vit më parë./E.P-dritare.net

















