
Si më futi në burg Berisha para se të ndodhte ‘97! Flet Idajet Beqiri!
Dritare.net
Avokati i njohur Idajet Beqiri i ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare Tv tregoi se si Sali Berisha e futi në burg në vitin 1996. Po ashtu, Beqiri tregon se si falë një shkrimi të Ylli Rakipit, Berisha e transferoi nga burgu 313 në Tiranë, në burgun e Bënçës në Tepelenë, atje ku në atë kohë ishte edhe Fatos Nano.
“Ishte një revoltë me burgime të padrejta. Për ata mjaftonte që po luftonin komunizmin dhe mbërthenin njerëz dhe i fusnin në burgje. Me mua mbase e pati politike, se isha kryetar i një partie politike, edhe isha kundër tij, i thashë je vrasës i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Opozitën në atë kohë nuk e bënte PS-ja, por Partia e Unitetit Kombëtar dhe gazeta Kombi. Ngaqë bënim një opozitë të tillë, Berisha më futi në burg. Berisha e krijoi këtë klimë. Me ndihmën e Gazidedes bënë një terror të jashtëzakonshëm dhe për rrjedhojë kjo ngjalli një revoltë të madhe, që ngriti edhe popullin e Vlorës.
Në 1996-ën, unë isha një vit e pak në burgun e 313-ës këtu në Tiranë. Pak ditë para vitit të ri, kur do festonim ardhjen e vitit të ri të ‘97-ës, mua më hoqën urgjent nga ai burg dhe më çuan në burgun e Bënçës. Më hoqi nga burgu një veprim i mirëmenduar i Ylli Rakipit. Gazeta “Albania” në ato kohë ishte pushka në duart e Gazidedes dhe Berishës, që vriste opozitarë, intelektuale, gazetarë, kush fliste kundër Berishës. Dhe këto lajme i mbulonte Ylli Rakipi. Në atë kohe kishin hedhur një shkrim për gruan time. S’kishin lënë gjë pa thënë për të, shpifje ordinere. Ndërsa isha ne burg ata sulmonin gruan time me anë të gazetës. Unë nga burgu bëra një padi në gjykatë. Pavarësisht se ishin vegla qorre të Berishës ata gjyqtarë, unë isha i bindur se do të turpëroheshin kur të jepnin vendimin. Unë e çova padinë atje dhe sa e morën, që të mos e ndiqja gjyqin nga 313-ta, më morën për dy ditë edhe më transferuan në burgun e Bënçës në Tepelenë ku ishte edhe Fatos Nano. Vitin e ri 1997 e kalova në burgun e Bëncës dhe këtë e kam peshqesh nga Ylli Rakipi. Mua më zuri në burgun e Bënçës 1997-ta." tha avokat Beqiri në DritareTV/K.C/dritare.net

















