Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si Ambasada Shqiptare në Paris tallet me shqiptarët! 

Si Ambasada Shqiptare në Paris tallet me shqiptarët! 

Numri i shqiptarëve që ikin nga Atdheu për të jetuar jashtë rritet çdo vit edhe më shumë. Ata kthehen në Shqipëri ose në verë për pushime ose për të rinovuar pasaportat. Megjithëse për dokumentet është bërë më e lehtë për ta vitet e fundit, për shkak të e-Albania dhe mund t’i nxjerrin dokumentet në shtetin ku janë dhe pastaj t’i kryejnë procedurat nga ambasadat shqiptare të vendeve pritëse. Por ndodh ndonjëherë që punonjësit e ambasadës së vendit tënd, nuk të presin mirë, e çfarë të presësh pastaj nga të huajt. Siç është rasti me Ambasadën Shqiptare në Paris, e cila ka ngjallur shumë pakënaqësi te shqiptarët jashtë. Ali Mersini nga Franca tregoi për DritareTv, se sa të pandjeshëm janë punonjësit që punojnë në Ambasadën Shqiptare në Paris, që nuk pyesin as për gra shtatzëna apo fëmijë dhe sillen keq me ta.

Në një rrëfim për gazetaren Rudina Xhunga në rubrikën “Jeta im” në Shqip-DritareTv, Mersni tha:

“Para një jave isha në Paris për rinovimin e dokumenteve të fëmijëve në Ambasadën Shqiptare. U surprizova për keq me trajtimin e administratës që punon në ambasadë për bashkëpatriotët e mi që shkonin për t’u pajisur me dokumente. Ishte një grua shtatzëne që kishte bërë aplikimin për pasaportë, por punonjësja i thotë që i ka mbaruar dhe karta e identitetit dhe nuk bën dot vetëm pasaportën pa kartën. I thanë që duhej të shkonte në qytetin ku jetonte të priste faturën dhe të bënte aplikimin. Qyteti ishte 600 kilometra larg nga Parisi. Kishte dalë në derë të ambasadës dhe po qante si fëmijë. E shoqërova me një shokun tim dhe e çuam në postë. Ia gjetëm mënyrën të paguajë faturën për kartën e identitetit dhe u rikthye për të bërë të dyja aplikimet. Me shumë peripeci i bëri aplikimet. Pastaj kur çova vajzën 7 vjeçe për të bërë foto, ajo punonjësja e kap nga krahu dhe e tund. Rri mirë i thotë se nuk do merrem me ty se kam shumë njerëz jashtë. Ishin komplet te pandjeshëm. Nuk gjej fjalë ta them si të trajtojnë këtu. Nuk e kuptoj pse i gjithë ai nënvlerësim sepse atje nuk ishte ndonjë njeri që t’i përgjigje në të njëjtën mënyrë. 30-40 vetë prisnin nëpër shkallë se as sallë pritjeje nuk kanë.”, u shpreh Ali Mersini në DritareTv.


Një tjetër rrëfim na vjen sot nga Parisi, nga gazetari Erald Deliu, i cili ishte drejtuar tek ambasada e vendit tonë në Paris, për të zgjidhur hall. Ai tregon se sa të papërgjegjshëm u treguan punonjësit e ambasadës, kur shkoi për të aplikuar për pasaportë. Mirë që e lanë të presë jashtë pa një përgjigje, por edhe kur hyri punonjësit u drejtoheshin njerëzve me tone kërcënuese, nuk ndihmonin aspak dhe do të nxirrnin probleme qoftë edhe pse nuk ke printuar një pagesë aplikimi. Pas disa orësh në pritje, gazetari arriti të aplikojë, megjithëse edhe pse pas një muaji ende nuk e ka marrë pasaportën dhe sot mendon se duhet të gjejë një mik të fortë për të marrë një përgjigje nga ambasada.

“Unë dhe disa, nuk mund të vijmë dot në Shqipëri, pra në mëmëdhe, se Ambasada nuk përgjigjet, se zyra e shpërndarjes së pasaportave do të shpërngulet, se... Tani, ndoshta është momenti që të mendoj, kë të kap, kë njoh dhe kush njeh kë, që të marr atë për të cilën, fundja kam paguar...me fature dhe të printuar...Kaq!”, shkruan gazetari ndër të tjera.

Si Aliu dhe gazetar Deliu ka shumë raste të shqiptarëve që nuk tregohen. Është për të ardhur keq se si po tallet Ambasada Shqiptare në Paris me shtetasit e vet. Në vend që të shërbejnë ashtu si duhet sepse në fund të fundit po paguhen me taksat e shqiptarëve, ata i keqtrajtojnë shqiptarët, i lënë të presin në radhë, i përzënë pa arritur të zgjidhin gjë, i lënë pa përgjigje për ditë, javë dhe muaj. Do ishte e udhës që shteti shqiptar, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, kryeministri Edi Rama që kanë autoritetin, të ndërhynin dhe t’u tregonin vendin punonjësve të paaftë që bëjnë çdo gjë tjetër veçse punojnë. /K.C/ dritare.net