
Tmerri që pashë, në Ambasadën Shqiptare, në Paris!
Dritare.net
Numri i shqiptarëve jashtë vendit sa vjen edhe rritet. Sa herë u mbarojnë dokumentet, ata drejtohen në ambasadat shqiptare të vendeve përkatëse për të rinovuar pasaportën apo kartën e identitetit. Por ndodh ndonjëherë që punonjësit e ambasadës së vendit tënd, nuk të presin mirë, e çfarë të presësh pastaj nga të huajt. Si ky rasti që rrëfen Ali Mersini nga Franca. Mersini tregon se sa të pandjeshëm janë disa punonjës që punojnë në Ambasadën Shqiptare në Francë, që nuk pyesin as për gra shtatzëna apo fëmijë dhe sillen keq me ta.
Në një rrëfim për gazetaren Rudina Xhunga në rubrikën “Jeta im” në Shqip-DritareTv, Mersni tha:
“Para një jave isha në Paris për rinovimin e dokumenteve të fëmijëve në Ambasadën Shqiptare. U surprizova për keq me trajtimin e administratës që punon në ambasadë për bashkëpatriotët e mi që shkonin për t’u pajisur me dokumente. Ishte një grua shtatzëne që kishte bërë aplikimin për pasaportë, por punonjësja i thotë që i ka mbaruar dhe karta e identitetit dhe nuk bën dot vetëm pasaportën pa kartën. I thanë që duhej të shkonte në qytetin ku jetonte të priste faturën dhe të bënte aplikimin. Qyteti ishte 600 kilometra larg nga Parisi. Kishte dalë në derë të ambasadës dhe po qante si fëmijë. E shoqërova me një shokun tim dhe e çuam në postë. Ia gjetëm mënyrën të paguajë faturën për kartën e identitetit dhe u rikthye për të bërë të dyja aplikimet. Me shumë peripeci i bëri aplikimet. Pastaj kur çova vajzën 7 vjeçe për të bërë foto, ajo punonjësja e kap nga krahu dhe e tund. Rri mirë i thotë se nuk do merrem me ty se kam shumë njerëz jashtë. Ishin komplet te pandjeshëm. Nuk gjej fjalë ta them si të trajtojnë këtu. Nuk e kuptoj pse i gjithë ai nënvlerësim sepse atje nuk ishte ndonjë njeri që t’i përgjigje në të njëjtën mënyrë. 30-40 vetë prisnin nëpër shkallë se as sallë pritjeje nuk kanë.”, u shpreh Ali Mersini në DritareTv./K.C/dritare.net

















