Kur thashethemet për Macron fshijnë kufirin mes gazetarisë dhe spektaklit
Dritare.net

Nga Ardiana Faja*
Ka disa gjëra që një shoqëri serioze nuk duhet t’i normalizojë kurrë. Dhe një prej tyre është transformimi i thashethemeve në “informacion”, vetëm sepse ato përfshijnë pushtetin, seksin dhe famën.
Prej vitit 2024, në qarqet mediatike dhe politike qarkullon një histori që përfshin Presidentin Emmanuel Macron dhe një aktore të njohur iraniane Golshifteh Farahani. Një histori që, sipas shumë vetëve, “e dinë të gjithë”: gazetarë, redaksi, darka mondane, korridore pushteti. Të gjithë kanë dëgjuar versionin e tyre, me “burime të forta”, me detaje të supozuara precize, me rrëfime të tipit “e kam nga dikush që njeh dikë”.
Dhe megjithatë, asnjë media serioze nuk e ka publikuar si fakt të verifikuar.
Pse? Sepse gazetaria nuk bëhet me thashetheme.
A ka mesazhe?
A ka dëshmi direkte?
A ka fotografi?
A ka prova konkrete?
A ka ndonjë skenë reale që mund të dokumentohet, e jo histori të ricikluara nga rrjetet sociale dhe bisedat private?
Në një moment madje u përfol edhe ideja absurde se incidenti i famshëm i Hanoit — “shuplaka” që ndezi rrjetet sociale — lidhej me një mesazh të gjetur në një telefon. Por kush e tregon këtë histori? Kush ndodhej realisht në avion? Një truprojë? Një anëtar i ekuipazhit? Një këshilltar presidencial?
Dhe mbi të gjitha: kush mund ta besojë seriozisht që presidenti më i kontrolluar dhe më i izoluar mediatikisht i Republikës së Pestë franceze do të kishte një rreth kaq të depërtueshëm, ku çdo sekret rrjedh nëpër darka mondane?
Pikërisht kjo e bën të gjithë këtë histori edhe më groteske.
Por problemi i vërtetë nuk është vetëm ky rast. Problemi është degradimi i përgjithshëm i debatit publik dhe shndërrimi i gazetarisë në industri insinuatash.
Për dekada, ekzistonte një barrierë e fortë në media: respekti për jetën private dhe refuzimi për të “parë nga vrima e çelësit”. Edhe kundërshtarët politikë e dinin se ekzistonte një kufi që nuk duhej kaluar. Sot, kjo barrierë po shembet gradualisht nën presionin e rrjeteve sociale dhe kulturës së spektaklit.
Në vend të fakteve, kemi insinuata.
Në vend të hetimit serioz, kemi skenarë.
Në vend të informacionit, kemi voyeurizëm politik.
Dhe në mes të kësaj vale, edhe Brigitte Macron ka qenë objekt i një brutaliteti publik të rrallë: sulme për pamjen e saj, për moshën, për martesën e saj me presidentin, madje edhe teori konspirative absurde mbi “gjininë” e saj. Një degradim që thotë shumë për epokën ku jetojmë.
Madje disa shkojnë edhe më larg, duke pretenduar se librat apo “zbulimet” që qarkullojnë në prapaskenë janë pjesë e luftërave të brendshme të pushtetit, hakmarrje personale apo operacione politike të maskuara si gazetari. Kjo e bën kufirin mes informacionit, propagandës dhe spektaklit edhe më të paqartë.
Dhe kjo është ndoshta pjesa më shqetësuese e gjithë historisë: normalizimi i baltës.
Sepse sapo pranohet ideja që çdo thashethem mund të publikohet, çdo kufi bie. Nesër mund të shkruhen libra dhe “skandale” për këdo. Për çdo figurë publike. Për çdo kundërshtar politik. Për çdo person që duhet diskredituar.
Mjafton një “burim anonim”.
Mjafton një screenshot pa origjinë.
Mjafton një histori e përsëritur mjaftueshëm herë në rrjetet sociale.
Në fund, pyetja reale nuk është nëse këto histori janë të vërteta apo jo. Pyetja reale është shumë më e madhe: çfarë lloj gazetarie duam? Një gazetari që kërkon të vërtetën apo një industri balte që jeton nga voyeurizmi, insinuatat dhe spektakli?
Dhe ky është ndoshta problemi më i madh i kohës sonë: politika po shndërrohet në reality show, ndërsa gazetaria po humbet funksionin e saj themelor — kërkimin e së vërtetës./dritare.net
*Lektore e gjeopolitikës në Akademinë e Grenoble ( France), zëvendës - présidente e House of Europe Drôme/Ardèche