
Shqiponja Telhaj: Shqipëria po mirëpret mendimin e akademikëve të saj jashtë. Deri tani nuk kemi qenë lajm!
Dritare.net
Shqiponja Telhaj, Kryetare e Bordit të Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë, foli për herë të parë nga Londra në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV. Një shqiptare e mrekullueshme që sot falë punës disa vjeçare, mban një prej pozicioneve më të rëndësishme, në një prej universiteteve më të njohur në botë. Ajo tregon rrugëtimin e saj nga Shqipëri në Angli.
“Rrugëtimi im për në Angli nisi që në vitet 2000, pasi kisha mbaruar studimet universitare. Erdha këtu për të bërë masterin në fushën e ekonomisë, më pas fitova dy bursa për doktoraturën. Ndërkohë që isha studente, ishte një vend pune si asistente studiuese në London School of Economics. Që kur isha studente iu bashkova institutit me emër të studimeve ekonomike me shumë famë në botë, dhe jam aty që prej vitit 2004. Ndërkohë që prej 2008 jam me titullin Reader, Associate Professor në departamentin e ekonomikut në universitetin Sussex, një universitet shumë i rëndësishëm në Angli”.
Më tej zonja Telhaj në një bisedë më gazetaren Xhunga shpreh me keqardhje, për kohën e paktë që u kushtohet në televizionet shqiptare, njerëzve që kanë bërë karrierë jashtë vendit të tyre.
“Ne që jemi akademikë jemi mbajtur larg shtypit dhe kjo është për të ardhur keq. Por dashuria për vendin na bën t’i mbajmë lidhjet me njerëzit tanë atje. Ne nuk na kërkojnë shumë, mbase atje nuk bëjmë shumë lajm. Por në fakt gjatë pandemisë, kjo ndryshoi disi. Kohët e fundit na është kërkuar të jemi pjesë e programeve të ndryshme. Unë kam parë që ka pasur disa akademikë shqiptare që jetojnë jashtë që janë bërë pjesë e programeve të ndryshme. Shpresoj që ky komunikim të vazhdojë sepse Shqipëria ka plot njerëz me vlera, akademikë dhe profesionistë të shkëlqyer që ia kanë dalë mbanë jashtë vendit të tyre, por mund të japin kontribut për Shqipërinë”./L.F-dritare.net

















