Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Studiuesi Palnikaj merr titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Fermos!

Studiuesi Palnikaj merr titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia e

Studiuesi dhe albanologu i njohur, Mark Palnikaj prej vitesh është fokusuar në zbulimin dhe studimin e dokumenteve të vjetra shqipe, përmes të cilave ka gjetur prurje të reja për gjuhën shqipe dhe ka realizuar mjaft shkrime e libra në lëmin e historiografisë.

Si një nga studiuesit më të zellshëm të dokumenteve të hershme shqipe, Palnikaj prej 15 vitesh ka vazhduar kërkimet në arkivat italiane si të Vatikanit, Venecias, Napolit duke zbuluar një sërë dokumentesh të cilat plotësojnë thesarin e historisë shqiptare të mesjetës.

Një nga kërkimet më të suksesshme nga Palnikaj është zbulimi i një dokumenti që i përket vitit 1652 në bibliotekën komunale “Romolo Spezzioli” në qytetin e Fermos, në Itali.

Për punën e tij si dhe bashkëpunimin 15 vjeçar, Këshilli Komunal i Bashkisë së Fermos, me praninë e 29 anëtarëve dhe me votim unanim prej tyre, i ka akorduar dy ditë më parë studiuesit Mark Palnikaj titullin “Qytetar Nderi i Qytetit të Fermos” (Cittadino onorario della Città di Fermo).

Marrëdhënia midis komunitetit shqiptar dhe komunitetit të Fermos është pjesë integrale e jetës së këtij qyteti siç dëshmohet edhe nga fakti se në Fermo ka një shesh me emrin e heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Studjuesi Mark Palnikaj që prej vitit 2015 ka kryer kërkime në arkivin e Venecias, Padovas, Loretos, Fermos, Grotaferratës, Napolit për të zbuluar dokumente historike që hedhin dritë mbi historinë e Shqipërisë. Në arkivën e Vatikanit, Palnikaj ka kryer kërkime në katër burime historike, përkatësisht Arkivi i Propagandës Fide, në Arkivin Jezuit, Arkivin Sekret dhe Bibliotekën Apostolike.

Kërkimet nga Palnikaj në arkivat dioqezane në Fermo dhe Loreto ku për rreth treqind vjet kanë funksionuar Kolegjet Ilirike, vazhduan për një kohë të gjatë pasi aty kishte mjaft të dhëna për mbi dyqind e dhjetë persona nga Shqipëria që vazhduan studimet për teologji dhe filozofi.

Në bibliotekën komunale “Romolo Spezzioli” në qytetin e Fermos janë të ruajtura mijëra libra dhe dokumente me rëndësi.

Midis gjithë kësaj pasurie të madhe dokumentare, dallohej një dokument me 510 faqe i vitit 1652, i ruajtur në dorëshkrim i cili bënte fjalë krejtësisht për ngjarjet në Shqipëri nga viti 1634 deri në vitin 1652.

Ky dokument ishte kaluar nëpër duar nga shumë studiues jo shqiptarë, por nuk ishte publikuar kurrë asnjë rresht i tij.

Studiuesi Palnikaj, pas një konsultimi me Drejtoreshën e Bibliotekës, Maria Chiara Leonori dhe Kryetarin e Bashkisë, Av. Paolo Calcinaro hartuan një marrëveshje të shkruar për publikimin e këtij dokumenti mjaft të vështirë por edhe mjaft të rëndësishëm.

Pas rreth tre vitesh, me datën 3 prill 2023, Palnikaj arriti të publikojë në versionin dygjuhësh, shqip dhe italisht këtë dokument i cili u promovua në prani të shumë punonjësve dhe studiuesve italianë në ambientet e kësaj biblioteke në qytetin e Fermos.

Në dhjetor të vitit 2024, nën logon e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u arrit të publikohej ky dokument në versionin fototipik me zmadhim dyqind përqind dhe i shoqëruar e i shkruar për çdo faqe edhe në gjuhët shqipe dhe italiane me 1038 faqe format A4, me lidhje të fortë dhe me cilësi mjaft të lartë.

Gjatë këtyre viteve, Marku ka arritur të publikojë rreth tre mijë faqe dokumente dorëshkrime nga arkivat italiane ku ato më të rëndësishmet kanë qenë relacioni i Shtjefën Gasprit e vitit 1671 me 250 faqe, relacioni i Sospellos i vitit 1652 me 510 faqe, relacioni i Dario Buçarelit i vitit 1868 me 340 faqe dhe një numër të madh relacionesh më të vegjël se këta që përmendëm.

Biblioteka e Fermos në krahinën Marke është themeluar në vitin 1688 si një bibliotekë publike, e njohur në Itali për pasurinë e fondeve të saj të lashta, për të cilat krenohen vetë italianët ku ndër të tjera ka një fond me mbi 3,000 dorëshkrime, 681 inkunabula, 15,000 e më shumë botime të viteve njëmijë e pesëqind së bashku me pjesën tjetër të koleksioneve grafike dhe bibliografike.

Fondet e lashta të Bibliotekës përfaqësojnë një burim të pashtershëm nga i cili mund të nxirren ekselenca duke përfshirë librin e orëve të shekullit të pesëmbëdhjetë, tradicionalisht të quajtur si i Mbretëreshës Kristina të Suedisë, herbariumin e dorëshkrimeve – gjithashtu nga shekulli i pesëmbëdhjetë – që i përkiste Gherardo Cibos, tekstet më të famshme historiko-mjekësore të shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë evropianë ose editio principes të rrallë latin të letrës së Kristofor Kolombit drejtuar mbretërve spanjollë me rastin e zbulimit të Amerikës./ATSH.