
Rinumërimi në Tiranë. A mund të ndryshojnë mandatet!
Dritare.net
Pas verifikimit të fletëve të votimit në 94 kuti të Gramshit dhe Peqinit, ka nisur rinumërimi i plotë i votave në qarkun e Tiranës. Procesi po zhvillohet në pallatin e sportit “Farie Hoti” dhe përfshin 1,282 kuti votimi. Do të shqyrtohen votat për partitë dhe kandidatët. Rinumërimi pritet të zgjasë rreth 10 ditë dhe më pas do të vijojë në qarqet Fier (587 kuti) dhe Durrës (360 kuti, 85 prej tyre të diasporës).
Procesi mbikëqyret nga 24 grupe me 63 punonjës, përfshirë 48 numërues dhe 15 zëvendësues. Kostoja prej 21 milionë lekësh do të mbulohet nga kursimet e mbetura nga zgjedhjet e 11 majit. Vëzhgues do të kenë PS, PD, Mundësia dhe Shqipëria Bëhet. Lëvizja Bashkë nuk u lejua të marrë pjesë, gjë që ka çuar Arlind Qorrin të apelojë në KAS.
A mund të ndryshojë rezultati?
Në qarkun e Tiranës, i vetmi mandat që rrezikon të ndryshojë është ai i dytë i partisë "Mundësia". Nëse PD merr 1,200 vota më shumë, ose nëse "Mundësia" humbet 117 vota, mandati kalon nga Erald Kapri te Ilir Alimehmeti i PD-së. Alternativisht, që "Mundësia" ta ruajë mandatin në kurriz të PS, kjo e fundit duhet të humbasë rreth 4,500 vota.
Për kandidatët individualë:
PD: Diferenca më e ndjeshme është mes Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit – Tabaku mban një avantazh të konsiderueshëm prej 2,400 votash.
PS: Olta Xhaçka ka vetëm 140 vota më shumë se Blerina Gjylameti, ndërsa Xhemal Qefalia është 500 vota pas Ornaldo Rakipit, që aktualisht mban mandatin./L.F-dritare.ent

















