Reagon Rama: Shqipëria nuk do paguajë 1 miliard euro për Bordin e Paqes
Dritare.net

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me forcë ndaj spekulimeve mediatike dhe interpretimeve të gabuara lidhur me ftesën e Shqipërisë në Bordin e Paqes, organizatën ndërkombëtare të shpallur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan:
“Tenxheret politike mediatike po bubullojnë e gërrgërrojnë aq fort sa thua se në Bordin e Paqes së Presidentit Trump nuk është ftuar Shqipëria, po një vend armik i Shqipërisë!
Në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB
GËNJESHTËR
Shqipëria do të paguajë 1 miliardë EURO
GËNJESHTËR
Palestinezët do të vijnë në Shqipëri
GËNJESHTËR
-Shqipëria, mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë: Tenxheret politike e mediatike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurshmshme Shqipërisë së vjetër, ndërsa kjo që po vazhdojmë të ndërtojmë me shumë mund e këmbëngulje të madhe është një Shqipëri Tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht. Sa për mua personalisht, rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, që më kanë ngjitur e mbajtur katër herë në majën e shtetit shqiptar dhe respekti i atyre që janë në majat e botës a të Europës, i cili më duhet mbi të gjitha për të nderuar e lartësuar Shqipërinë. Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku tërbimi i tenxhereve thjesht na siguron se sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani”, shkruan Rama.
Rama e përforcon kështu pozicionin e Shqipërisë si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, duke hedhur poshtë informacionet që qarkullojnë për një kontribut financiar të jashtëzakonshëm ose për vendosjen e refugjatëve palestinezë në vend. Qeveria shqiptare ka theksuar më parë se ftesa në këtë strukturë ndërkombëtare është një njohje diplomatike e rëndësishme për Shqipërinë, duke e vendosur vendin në hartën e partnerëve strategjikë për paqen dhe stabilitetin rajonal.
Ky reagim i Kryeministrit vjen në një kohë kur disa media ndërkombëtare raportojnë për kërkesën e Trump për pagesa të mëdha nga vendet që duan të qëndrojnë në Bordin e Paqes, diçka që Rama e ka quajtur plotësisht të pavërtetë për Shqipërinë./K.C/dritare.net

