Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama për prokuroren Gjeli për çështjen e Thethit: E padenjë të paguhet nga taksat e qytetarëve

Rama për prokuroren Gjeli për çështjen e Thethit: E

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra ndaj prokurores Elsa Gjeli, për një vendim të saj që, sipas tij, dëmton interesin publik dhe mbron paligjshmërinë në zonën e mbrojtur të Thethit.

Në një deklaratë publike, Rama tha se vendimi i prokurores për të mos nisur ndjekje penale ndaj një individi që, sipas tij, ka “plagosur” Thethin me ndërtime të paligjshme, është i papranueshëm dhe një tradhti ndaj shtetit dhe qytetarëve.

“Zonja Gjeli ka lënë në baltë shtetin, qytetarët dhe të gjitha strukturat që përpiqen të ruajnë kufijtë e ligjit. Është e padenjë për t’u paguar nga taksat e qytetarëve si prokurore”, u shpreh Rama, duke shtuar se ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë të ndërhyjë menjëherë dhe që çështja t’i referohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Kryeministri e krahasoi këtë rast me situata të tjera ku pronat shtetërore janë vendosur në sekuestro nga prokurorë të tjerë, duke theksuar se në rastin e Thethit është bërë një shkelje flagrante e ligjit në një zonë të mbrojtur.

“Ky është rasti i parë që do të pasohet nga të tjerë, sa herë që përballemi me prokurorë që tradhtojnë interesat e shtetit dhe qytetarëve, qoftë nga paaftësia, padituria apo me qëllim”, theksoi Rama./L.F-dritare.net