Rama për përmbytjet: Një situatë si kjo nuk kërkohen fajtorë, por të ndihmojmë njerëzit
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria, ashtu si vendet e rajonit dhe Evropës, po përjeton një gjendje atmosferike të zgjatur dhe të rëndë, e shoqëruar me reshje intensive shiu dhe dëbore, duke sjellë pasoja në qarkullim dhe dëmtime të pronës.
Gjatë mbledhjes së Komitetit të Emergjencave Civile, Rama bëri thirrje për durim, solidaritet dhe qetësi, duke theksuar se situata nuk zgjidhet me britma, protesta apo akuza politike. Sipas tij, fenomeni ka prekur një zonë të gjerë nga Italia dhe Greqia, deri në Ballkan dhe Turqi, si pasojë e një vorbulle atmosferike që ka sjellë temperatura të ulëta dhe reshje të vazhdueshme.
Kryeministri iu përgjigj edhe kritikave të opozitës lidhur me përmbytjet, duke sqaruar se hidrovorët kanë qenë në punë pa ndërprerje dhe se strukturat përgjegjëse kanë qenë të përgatitura para nisjes së sezonit të reshjeve. Ai bëri të ditur se janë inspektuar argjinaturat, digat e rezervuarëve dhe janë vënë në gatishmëri kanalet e kullimit, si dhe një flotë prej 29 ekskavatorësh./L.F-dritare.net