Rama: SPAK-u nuk është opozitë e qeverisë!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama është ndalur në konferencën e fundvitit edhe te çështja që lidhet me zëvendëskryeministren Belinda Balluku. I pyetur nga një gazetare nëse qeveria do të ndërmarrë hapa për heqjen e imunitetit të saj, Rama u shpreh se nuk do të mbajë “asnjë fjalë avokatie”.
Kreu i qeverisë theksoi se SPAK nuk është opozita e qeverisë, por një institucion i ngritur falë vullnetit politik të Partisë Socialiste. Sipas tij, krijimi i Prokurorisë së Posaçme përfaqëson një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra nga qeveria, duke garantuar pavarësinë e drejtësisë dhe funksionimin e saj pa ndërhyrje politike.
“SPAK nuk është opozita e qeverisë, është institucion i ri, i krijuar falë vullnetit të kësaj force qeverisëse, i mbështetur nga ne, i garantuar nga kjo forcë qeverisëse, në sensin që të tjerë janë betuar që do ta shkrinin, por nuk e shkrinë dot sepse votat i kemi ne. Është institucion që bën punën e vet. Nuk është opozitë e qeverisë, por depresioni i thellë në të cilin ndodhet opozita e qeverisë, opozita politike, bën që puna e SPAK të jetë e vetmja pikë referimi e opozitës depresive për të goditur qeverinë. Natyrisht, 700 tenxheret politike dhe mediatike, produktin e gjithë këtij procesi e marrin dhe e ziejnë dhe gatuajnë 700 lloj gjellërash të ndryshme duke bërë diçka që nuk ndodh në Shqipëri për herë të parë, duke shfrytëzuar gjysmë të vërteta, për të prodhuar një tym të jashtëzakonshëm që djeg sytë e publikut që shurdhon publikun me presionin e vet dhe dezinformon publikun thellësisht. Prandaj thonë që gjysmë e vërteta është edhe gënjeshtra më e madhe. Është neveri e madhe që ka një aktivitet kaq intensiv gjysmë të vërtetash nga njerëz që nuk dinë të bëjnë punën e tyre, nuk dinë të bëjnë opozitën e qeverisë. Nuk dinë ta mundin PS. Askush nuk bën analizë lidhur me cila është e vërteta në gjithë punën e SPAK? Sepse e vërteta është ndryshe nga kjo që thuhet, SPAK nuk është opozita e qeverisë dhe cilat janë anët pozitive dhe negative të punë së SPAK”, tha Rama./K.C.dritare.net