Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Festat e fundvitit. Ja masat e policisë!

Festat e fundvitit. Ja masat e policisë!

Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës ka njoftuar zbatimin e një plani të posaçëm masash me qëllim garantimin e rendit, sigurisë dhe mbarëvajtjes së festimeve me rastin e ndërrimit të viteve në kryeqytet.

Masat parashikojnë rritjen e ndjeshme të prezencës policore, si me shërbime me uniformë ashtu edhe me punonjës të Policisë Kriminale, veçanërisht në zonat me fluks të lartë qytetarësh.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet sigurisë rrugore, përmes intensifikimit të kontrolleve, përdorimit të mjeteve inteligjente dhe patrullimeve në akset kryesore urbane dhe interurbane, me synim parandalimin e aksidenteve gjatë ditëve të festave. Paralelisht, do të vendosen pika fikse kontrolli në hyrje-daljet e qytetit, si dhe do të shtohen patrullimet e lëvizshme për parandalimin e veprimtarive të paligjshme.

Policia ka bërë të ditur se do të kryhen kontrolle të vazhdueshme ndaj subjekteve dhe individëve që posedojnë apo tregtojnë lëndë piroteknike, si fishekzjarre dhe kapsolla, për të shmangur rreziqet dhe ngjarjet aksidentale. Gjithashtu, do të ketë rritje të prezencës policore në sheshe publike, shëtitore, zona pedonale, objekte kulti, ambiente argëtimi dhe qendra tregtare.

Në kuadër të planit, është parashikuar edhe bashkëpunim dhe shkëmbim informacioni në kohë reale për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim. Autoritetet policore theksojnë se efektivët do të jenë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo rast nevoje, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo paligjshmëri pranë patrullave të Policisë ose përmes numrave pa pagesë 129 dhe 112./K.C/dritare.net