Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gazetari Tozaj tregon kush e dhunoi: Më lanë për të vdekur në rrugë

Gazetari Tozaj tregon kush e dhunoi: Më lanë për të vdekur


Ka reaguar gazetari Elton Tozaj, i cili u dhunua barbarisht pak ditë më parë. Në një rrëfim për “Shqipëria Live”, përballë gazetares Sidorela Gjoni, ai tregon se dhuna ndaj tij erdhi pas lajmeve që kishte publikuar dhe një takimi të lënë për sqarim me personat që, sipas tij, janë autorët e agresionit. Tozaj shprehet se u rrah në mënyrë çnjerëzore dhe u la i gjakosur në mes të rrugës, ndërsa sot thotë se ka frikë për jetën e tij dhe të nënës.

“Gjithçka ka nisur 12 ditë më parë, kur kam qenë në një emision të përditshëm të mëngjesit ku bëj pjesën e showbizit, dhe aty pata deklaruar se një vajzë publike, kishte lidhje intime me një personazh nga bota e krimit që është në kërkim nga SPAK, dhe kam paraqitur dhe videot që i kisha në telefon. Një ditë më pas më kërcënuan dhe më kërkuan që të fshij videon, unë e fshiva videon, por kërcënimet vazhduan.

Kjo gjë vazhdoi deri para katër ditësh, kur u kontaktova nga dy personazhe që i njihja, i kisha takuar vetëm një herë në jetën time. Në mirëbesim lash takim me ta, pa e ditur çfarë më priste. Pasi i takova nuk mbaj mend asgjë sepse u dhunova në mënyrë çnjerëzore. Mbaj mend një fjali ‘kush je ti që do të ndryshosh botën’. Kur u zgjova e pashë veten në rrugë të gjakosur, u çova vrapova. Kam përshtypje që më kanë lënë për të vdekur, më kanë goditur vetëm në fytyrë sepse kam përshtypjen që kanë dashur të japin mesazh mos të dal më në ekran. Nuk kam bërë akoma denoncim, pres një kontakt nga Prokuroria. Kam frikë për jetën time dhe mamanë time”, tha ai./K.C/dritare.net