Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pasuritë e konfiskuara nga krimi për viktimat e dhunës, Rama: Prioritet i yni!

Pasuritë e konfiskuara nga krimi për viktimat e dhunës, Rama:

Qeveria shqiptare po përdor pasuritë e konfiskuara nga aktivitetet kriminale për të krijuar mundësi të reja për viktimat e dhunës dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Një nga shembujt më të fundit të kësaj nisme është vizituar sot nga Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, dhe Administratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Risena Xhaja.

Objekti, i përfituar më parë nga veprimtari kriminale, është transformuar në një strehë të sigurt për personat e prekur nga dhuna dhe trafikimi. Kryeministri Edi Rama publikoi pamjet e vizitës në rrjetet sociale, duke theksuar se deri më tani janë realizuar mbi 15 projekte të ngjashme, janë mbështetur më shumë se 20 institucione dhe janë ndihmuar drejtpërdrejt rreth 300 viktima.

"Kthimi i pasurive të konfiskuara nga krimi në mundësi për të ardhmen e viktimave të dhunës dhe trafikimit mbetet një prioritet i yni. Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, së bashku me ekipin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, vizituan një nga shembujt më domethënës të kësaj nisme: një objekt i përfituar nga veprimtari kriminale, i cili sot shërben si një strehë e sigurt për viktimat. Deri në vitin 2025, kemi realizuar mbi 15 projekte të kësaj natyre, kemi mbështetur më shumë se 20 institucione dhe kemi ndihmuar drejtpërdrejt rreth 300 viktima të dhunës dhe trafikimit” shkruan Rama në Facebook./K.C/dritare.net