Deklarata e fortë e Çukos: Të bashkohemi me Kosovën, hapi tjetër, ndarja e Maqedonisë!
Dritare.net

Eksperti i sigurisë Arben Çuko i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, foli për situatën e sigurisë në Ballkan dhe për rolin strategjik që mund të ketë bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës në të ardhmen. Ai thekson se fuqia dhe përgatitja janë çelësi për të garantuar mbrojtjen dhe ndikimin politik në rajon. Ai nënvizoi rëndësinë e aleancave rajonale dhe bashkëpunimit me Kroacinë, por gjithashtu e shikoi perspektivën më të gjerë: bashkimin me Kosovën.
“Aleanca me Kroacinë që e përmendin serbët është shumë e mirë. Le të jetë për stërvitje, për shkëmbim informacioni, për trajnim, për bashkëpunim në industrinë ushtarake. Po kjo aleancë, në qoftë se është e konsoliduar, mund të përparojë më tutje. Mund të përparojë në bashkim, sepse logjika është e thjeshtë: armiku i armikut tim është miku im,” tha Çuko.
Ai argumentoi se bashkimi me Kosovën do të krijonte një hap strategjik dhe politik të fuqishëm në Ballkan:
"Mbase në një të ardhme jo shumë të largët, do t'i duhet politikës së të dyja vendeve të marrë vendime shumë të forta. Një nga vendimet është bashkimi me Kosovën. Ky bashkim do të sjellë edhe hapin tjetër. Hapi tjetër është ndarja e Maqedonisë. Mbase nuk do ndodhë tani, mund të jetë afër me shpërbërjen e NATO-s. Unë e shikoj si veprimin e parë politik të faktorit shqiptar në Ballkan.”
Çuko theksoi rëndësinë e fuqisë dhe armëve për të garantuar qëndrueshmërinë strategjike:
“Ju e shikoni që fuqia është monedha e shkëmbimit në marrëdhëniet me të tjerët. Për të arritur aty, ne duhet të krijojmë fuqinë tonë të brendshme. Na duhen armatime dhe aviacion si sasi, jo si tipe. Fuqinë tonë ne duhet ta projektojmë me dy gjëra: bashkinë politike dhe armët e deterrencës. Këto i mendoj çdo ditë, çdo natë.”
Ky fokus i Çukos tregon një vizion të fortë strategjik: kombinimi i fuqisë politike, bashkimit me shqiptarët e Kosovës dhe zhvillimit të armëve deterrence si elementi kyç për të garantuar mbrojtjen dhe ndikimin e Shqipërisë në rajon./K.C/dritare.net
