
Rama: Një përgjigje për ata që thonë, po godisni kursimet e popullit!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj fenomenit të zaptimit të hapësirave publike nga disa subjekte private, duke theksuar se “3 apo 4 subjekte nuk mund të mbajnë peng tërë komunitetin”.
Në një deklaratë publike, Rama kritikoi disa komentues që, sipas tij, “qajnë hallin e kursimeve të popullit’” kur në fakt sipas tij bëhet fjalë për subjekte që kanë uzurpuar lulishte e trotuare duke bllokuar të drejtën e qytetarëve për të lëvizur lirshëm.
“Kush është populli këta tre-katër guximtarë që kanë zënë tërë lulishten e komunitetit, apo familjet, të moshuarit dhe fëmijët që detyrohen të kalojnë mes tavolinave për të dalë nga shtëpia?”, – deklaroi Kryeministri.
Ai theksoi se çdo hapësirë e tillë publike do t’i kthehet komunitetit dhe se bizneset duhet të jenë një vlerë e shtuar në qytet, por pa shkelur kufijtë e së drejtës kolektive për të jetuar në mjedise të hapura, të gjelbërta dhe të qeta.
“Rivendosja e kufirit mes të drejtës dhe të paligjshmes nuk është goditje ndaj popullit, por në mbrojtje të tij,” – shtoi ai.
Kjo deklaratë vjen në vazhdën e aksioneve për lirimin e hapësirave publike.
Sipas qeverisë, fushata për kthimin e hapësirave publike do të vijojë me vendosmëri në të gjithë vendin./L.F-dritare.net

















