
Rama nga Vlora: Asnjë nga drejtorët e shkarkuar nuk rikthehet. Të aplikojnë të rinjtë
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Bashkinë e Vlorës, ku inspektoi hapësira publike dhe komentoi zhvillimet e fundit institucionale në këtë bashki. Në deklaratën për mediat, Rama konfirmoi dorëheqjet e drejtorëve vendorë dhe rajonalë, të cilat i cilësoi si një hap të rëndësishëm për të vendosur qytetin mbi interesat personale.
“Drejtorët e bashkisë e kanë kuptuar që qyteti është mbi të gjitha dhe se janë të papërshtatshëm për atë detyrë. I falënderoj për dorëheqjet e tyre. Nuk do të ketë rikthim – të gjitha do të konfirmohen nga bashkia”, tha Rama.
Kreu i qeverisë e përshkroi këtë si hapin e parë drejt një transformimi të thellë në administratën vendore, duke theksuar se Bashkia e Vlorës do të shndërrohet në një institucion që punon për qytetarët dhe që nuk njeh orar pushimi, duke e quajtur “institucion i pagjumësisë”.
Rama ftoi të rinjtë dhe të rejat që të aplikojnë për vendet vakante në bashki, duke u shprehur se qeveria do të jetë në krah të tyre në këtë proces.
Ai paralajmëroi gjithashtu një ristrukturim edhe brenda Partisë Socialiste në Vlorë, duke përmendur emrat e Klevis Kasos dhe Erjona Ismailit si pjesë e një strukture të re që do të synojë hapjen e partisë ndaj prurjeve të reja./L.F-dritare.net

















