Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Fëmijët tanë, është përgjigja për ata që thonë ç'na duhet BE!

Rama: Fëmijët tanë, është përgjigja për ata

Tirana mikpriti sot Konferencën Rajonale “Përshpejtimi i Reformave të Kujdesit për Fëmijët drejt Anëtarësimit në Bashkimin Europian”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Kosova si një platformë e rëndësishme për forcimin e politikave sociale dhe mbrojtjes së fëmijëve në rajon.

Konferencën e përshëndeti edhe Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “kjo iniciativë rajonale, ky moment i ndërveprimit me strukturat dhe përfaqësuesit e strukturave, qoftë institucionale e qoftë e shoqërisë në të gjithë rajonin, është tejet i rëndësishëm për të ndarë eksperiencat, për të parë praktikat më të mira, për të adaptuar, duke marrë shembujt më pozitivë nga njëri-tjetri.”

“Garancia Europiane për Fëmijët është një nisëm e Bashkimit Europian, e cila edhe e vetme do të mjaftonte besoj unë për t’iu dhënë një përgjigje kuptimplotë të gjithë atyre të cilët pyesin: Për çfarë na duhet Bashkimi Europian? Dhe mjafton të shohësh në përmbajtjen e programit të kësaj Garancie për Fëmijët që të kuptosh thellësinë e dobisë së të qenit së bashku në familjen europiane dhe thellësinë e të kuptuarit të sensit të solidaritetit në atë familje.

Përmes Garancisë Europiane për Fëmijët, Bashkimi Europian synon që të drejtat e fëmijëve t’i sigurojë dhe t’i vendosë në fokusin e jetës së vet të përditshme dhe nga ana tjetër që përmes këtij programi të shumëfishojë të gjitha rrugët dhe të shumëfishojë të gjithë mundësitë që çdo fëmije t’i jepet një shans dhe për çdo fëmijë të ketë një perspektivë të mundshme barazie në raport me të tjetër, pavarësisht startit të ndryshëm.

Faktikisht nëse shohim ambicien që ka ky programi i Garancisë Europiane për fëmijët dhe i referohemi shifrave me të cilat programi është ndërtuar dhe argumentuar, është realisht një pasqyrë tejet kuptimplotë për domosdoshmërinë e thellimit të politik bërjes në funksion të fëmijëve dhe për rritjen e ndërveprimit mes të gjithë aktorëve shoqëror dhe institucional për të siguruar aksesin e barabartë në arsimin cilësor, për të siguruar ofrimin e ushqimit të shëndetshëm, për të siguruar përmasimin e vazhdueshëm të aksesit në shërbimin shëndetësor, për të siguruar kushte të përshtatshme strehimi, për të siguruar zhvillimin e programeve të mbrojtjes së dedikuar për fëmijët, për të siguruar përmirësimin e kushteve sociale për fëmijët me aftësi të veçanta dhe në tërësi për të rritur ndërgjegjësimin shoqëror mbi të drejtat e fëmijëve.

Të gjitha këto janë pikat kyçe të Garancisë Europiane për Fëmijët dhe në funksion të këtyre pikave Bashkimi Europian ka përcaktuar edhe një financim të veçantë. Një financim të veçante që i ndihmon vendet anëtare për të ecur në shinat e paracaktuara përmes dokumentit të Garancisë Europiane dhe për të zbatuar masa konkrete në reduktimin e varfërisë së fëmijëve dhe nga ana tjetër në ngushtimin e hendekut që është tejet shqetësues në të gjithë hapësirën europiane, sidomos si rezultat i goditjes që i dha pëlhurës sociale pandemia e disa viteve më parë.

Këtu natyrisht që financimi i posaçëm i Bashkimit Europian lidhet me përfshirjen aktive të qeverive kombëtare dhe vendore, lidhet me përfshirjen aktive dhe në ndërtimin e partneriteteve me organizatat jo qeveritare dhe patjetër lidhet me përmirësimin e infrastrukturës arsimore sociale dhe shëndetësore, si dhe me programet mbështetëse për prindërit.

Më vjen shumë mirë që në të gjitha këto drejtime ne kemi bërë një progres të dukshëm.

Ashtu sikundër më vjen shumë mirë që ky progres është një bazë e sigurt për të ndërtuar më tutje duke synuar që të përfitojmë aktivisht nga financimi i Bashkimit Europian dhe një nga pikat ku ne synojmë të bëjmë një hop sasior dhe cilësor në aspekt jo vetëm të financimit po edhe të organizimit dhe të ndërveprimit me partnerët e tjerë është adresimi i situatës të 16 mijë fëmijëve me aftësi të veçanta, të cilët janë përfitues të skemave të reja të mbështetjes, por të cilët besoj unë në këtë fazë dhe kushtet kur mundësitë tona ekonomike dhe financiare rriten meritojmë një rritje të mbështetjes nga ana jonë", u shpreh kryeministri Rama./L.F-dritare.net