Rama: Smart City Albania do ta çojë Shqipërinë në nivelin e vendeve më të sigurta
Dritare.net

Ka nisur zyrtarisht zbatimi i projektit “Smart City Albania”, një nga investimet më të avancuara teknologjike në fushën e sigurisë publike, i cili synon instalimin e një sistemi të integruar kamerash inteligjente në qytete, rrugë, shkolla dhe hapësira të tjera publike.
Gjatë prezantimit të projektit, Kryeministri Edi Rama theksoi se “Smart City” nuk është thjesht një rrjet kamerash, por një transformim i thellë i kapaciteteve të Policisë së Shtetit, duke i mundësuar asaj monitorim dhe ndërhyrje në kohë reale në të gjithë territorin. Sipas tij, sistemi funksionon përmes teknologjisë së avancuar dhe inteligjencës artificiale, duke identifikuar automatikisht shkelësit e ligjit, automjetet e paregjistruara, shkeljet në trafik dhe elementë të kriminalitetit.
Projekti parashikon përmirësim të ndjeshëm të sigurisë në shkolla, ku monitorimi 24/7 do të ndihmojë në parandalimin e incidenteve, uljen e mungesave dhe rritjen e disiplinës. Po ashtu, sistemi do të rrisë transparencën në punën e Policisë, duke pamundësuar abuzimet me mjetet dhe uniformën policore.
“Smart City Albania” realizohet me mbështetjen strategjike të Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat kanë vënë në dispozicion teknologjinë e përdorur edhe në disa nga vendet më të sigurta në botë. Kryeministri Rama falënderoi autoritetet e Emirateve dhe Presidentin Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan për mbështetjen, duke e cilësuar projektin si një hap vendimtar drejt rritjes së sigurisë, rendit publik dhe besimit të qytetarëve.
Sipas qeverisë, rezultatet e para pritet të jenë të dukshme në një afat të shkurtër, ndërsa brenda dy viteve Shqipëria synon të renditet mes vendeve më të sigurta, falë monitorimit inteligjent dhe menaxhimit të avancuar të territorit./L.F-dritare.net