Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mbyllja e TikTok, Rama për Politico: S’do ta zgjasim ndalimin 1-vjeçar!

Mbyllja e TikTok, Rama për Politico: S’do ta zgjasim ndalimin

Shqipëria nuk do ta zgjasë ndalimin njëvjeçar të TikTok, deklaroi kryeministri Edi Rama në një intervistë për POLITICO, duke vlerësuar bashkëpunimin e platformës së rrjeteve sociale me qeverinë shqiptare.

Rama tha se pas një sërë takimesh konstruktive me përfaqësuesit e TikTok, palët kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi. “Jemi të kënaqur me rezultatin. Kemi ndërtuar partneritetin dhe shpresoj që në javët ose muajt në vijim t’ia prezantojmë planin popullit shqiptar, ashtu siç e premtuam”, u shpreh kryeministri.

Ai tregoi se ishte i befasuar pozitivisht nga reagimi i TikTok pas vendimit fillestar të Shqipërisë për ndalimin e platformës. “Në fillim menduam se do të na kundërshtonin apo do të hakmerreshin. Por i takova personalisht dhe mbeta shumë i impresionuar nga qasja e tyre. Ata i dëgjuan me shumë vëmendje shqetësimet tona”, tha Rama në e Samitin e BE–Ballkani Perëndimor.

Shqipëria, vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, vendosi ndalimin e TikTok në mars të vitit 2025, pas rreth një viti bisedimesh me kompaninë lidhur me abuzimin online dhe sigurinë e të miturve. Vendimi erdhi pas disa ngjarjeve të rënda që tronditën opinionin publik, përfshirë raste dhune dhe pasoja serioze të lidhura me ngacmimin në rrjetet sociale. Qeveria urdhëroi ofruesit e internetit të bllokonin aksesin në platformë, si në aplikacione ashtu edhe në versionin desktop.

Megjithatë, ky vendim shkaktoi reagime të forta nga opozita dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat e cilësuan ndalimin si akt censure dhe kufizim të lirisë së shprehjes.

I pyetur nëse ndalimi i TikTok ishte efektiv në uljen e dhunës në shkolla, Rama u shpreh se efekti kryesor ishte ndërtimi i një marrëdhënieje të re me platformën. “Ka qenë efektiv në krijimin e kësaj marrëdhënieje dhe në vendosjen e disa masave mbrojtëse që më parë nuk ekzistonin”, tha ai.

Sipas raportimeve të mediave lokale, ndalimi pati ndikim të kufizuar në adresimin e dhunës në shkolla apo rritjen e dhunës digjitale.

Ndërkohë, Rama përjashtoi mundësinë që Shqipëria të mbështesë kufizime të përgjithshme për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, një temë që po diskutohet aktualisht në disa vende të BE-së dhe në Bruksel. “Këto janë budallallëqe. Shqipëria nuk do ta marrë këtë në konsideratë. Nuk funksionon”, u shpreh ai.

Kryeministri shtoi se pa transparencë të plotë mbi identitetin e përdoruesve, shtetet mbeten të pambrojtura ndaj sulmeve nga llogari anonime, trollë dhe robotë. Rama theksoi gjithashtu se, ndonëse SPAK mund të hetojë krimin ekonomik, problemi i shthurjes së shtetit kërkon zgjidhje më të thella institucionale.